Ishte e shkruar: Cili është fati i komisionit që mund t’i zbardhë dallaveret me rrymë?
T’i thuash dikujt që s’merr vesh në politikën vendore, se i gjithë Kuvendi po do ta hetojë “energjinë”, por 100 deputetë s’po munden ta formojnë një komision hetimor... më mirë mos i thuaj se nuk të beson. Ky Komision s’ka çare të mos themelohet, por si të dalim nga ngërçi?
Kurti krizën energjetike e kaloi nën batanije duke e kursyer nga pak rrymën e duke promovuar kursimin e rrymës ndër qytetarë, por përkundër sakrificave të tij, qytetarëve fatura rrymës po u vjen më shtrenjtë.
Procesin e menaxhimit të krizës energjetike me sy dyshues e pa PDK-ja, dhe kërkoi të themelohet komision hetimor parlamentar.
Opozita fillimisht s’i doli në ndihmë PSD-së që organizoi protestë kundrejt shtrenjtimit të rrymës, ama tash u kujtua t’ia bëjë argatin PDK-së sa për t’i mbledhur bashkë 40 nënshkrime.
Megjithatë, këto nënshkrime nuk mjaftojnë. Komisioni Parlamentar për ta hetuar krizën energjetike bëhet veç me përkrahjen e numrave të pozitës.
Dyshimet për manipulime me krizën energjetike u rritën sidomos pas skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, i cili dyshohet të ketë përfituar deri në 600 mijë euro nga GEN-i (kompani energjetike) në Beograd.
Këto akuza për manipulim gjatë krizës energjetike, të papranueshme për VV-në, pozita i ktheu në kundërakuza, duke kërkuar tash që të hetohej opozita sa ishte në pozitë, për menaxhimin e energjisë që nga 2006-a.
Kuvendi thirri seancë për t’i trajtuar këto propozime, por prodhoi vetëm debat palidhje e zhurmë... besa edhe sharje me ‘robë’. Themelimi i komisionit u vu në votim por mori vetëm tri abstenime dhe asnjë votë kundër apo për.
Sipas rregulloreve për themelimin e komisioneve parlamentare, kryesuesi i komisionit duhet të vijë nga opozita. Ama, opozita s’po pranon ta drejtojë komisionin e propozuar nga pozita.
Në anën tjetër pozita nuk po ia bën numrat opozitës për ta themeluar komisionin e propozuar nga PDK-ja, duke thënë se propozimi duhet të jetë i specifikuar se kush do ta kryesojë, e këtë s’e ka bërë partia më e madhe opozitare.
Ky ngërç politik nuk i shkon për shtati askujt, pos pushtetit i cili po vazhdon të mos hetohet. Si të dalim?
Hulumtuesi i lartë në KDI, Gëzim Shala, na siguron se ky komision patjetër që do të themelohet, sepse është obligim kushtetues.
“Kuvendi është i detyruar ta themelojë atë [Komisionin Hetimor Parlamentar] në seancë plenare. Kjo çështje është e rregulluar shprehimisht me [Kushtetutë]... Pra, Kuvendi nuk mund t’i ikë detyrimit kushtetues dhe ligjor për themelimin e komisionit hetimor”, thotë Gashi për Nacionale.
Gashi fillimisht i jep të drejtë VV-së kur thotë se opozita duhet ta precizojë se kush do ta kryesojë komisionin pasi të themelohet.
“Por, çështja e grupit nismëtar dhe të grupeve të tjera mbështetëse duhet të jetë e precizuar në shkresën propozuese dhe në listën e nënshkrimeve – krejt kjo për t’u vërtetuar se kush duhet ta kryesojë më pas komisionin”, shprehet Gashi.
Ama, sipas Gashit, nuk mund të zgjerohet fushëveprimi dhe periudha e komisionit të propozuar, siç e bëri VV-ja.
“Së dyti, edhe po qe se pozita dhe opozita bëhen bashkë e e themelojnë komision hetimor për temat e folura në seancën e djeshme, komisioni nuk do të mund ta kryente punën e vet në mënyrë cilësore dhe me efiktivitet. Komisionet hetimore duhet të jenë të përqendruara në një fushë të hetimit dhe për një periudhë të caktuar. Mund të bëhen më shumë komisione, por jo të zgjerohet fushëveprimi dhe periudha e komisionit të propozuar”, thotë Gashi.
Mirëpo, pjesën më të madhe të fajit e ka ligji aktual i cili ka defekte serioze. Gashi tha se ky ligj duhet të plotësohet ose të vijë një ligj i ri që e rregullon këtë çështje.
“Së treti, duhet theksuar se Ligji aktual ka defekte serioze të tjera për të cilat Kuvendi i Kosovës, në këtë rast Kryetari i saj, Komisioni për Legjislacion dhe grupet parlamentare duhet të nisin diskutimin publik për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit ose sjelljen e një ligji të ri. Ky aktivitet nuk është paraparë në programin legjislativ për vitin aktual”, përfundoi Gashi.
Derisa opinioni publik ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur me krizën energjetike dhe si i mori Martin Berishaj 600 mijë euro nga GEN-i në Beograd, deputetët e Kosovës zgjedhin t’i rrahin tavolinat për të bërë zhurmë.
Me tri abstenime në fund dhe asnjë votë pro ose kundër, epilogu i seancës ishte momenti kur Abelard Tahiri ua shajti robtë deputetëve të VV-së.