Ish-zyrtari i Qeverisë dënohet për mashtrim me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka shpallur fajtor ish-zyrtarin e Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, duke e dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për mashtrim.
Sipas aktgjykimit të shpallur të premten nga gjykatësi Agim Kuçi, në dënimi me burgim ndaj Bajramit do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton "Betimi për Drejtësi"
Gjithashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumë prej 100 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Sipas gjykatësit Kuçi, pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.
Ndryshe, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim për herën e tretë rastin ndaj të akuzuarit Zahir Bajrami, për shkak se ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave ligjore./Betimi për Drejtësi