Ish-profesori i Kurtit dhe asamblisti më i votuar në Rahovec: Për pak muaj dy largime nga VV-ja - NACIONALE

Ish-profesori i Kurtit dhe asamblisti më i votuar në Rahovec: Për pak muaj dy largime nga VV-ja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka shkuar shumë mbarë vitin 2024. Gjatë këtij viti, partia e Albin Kurtit është braktisur nga disa aktivistë të zellshëm.

I fundit që është larguar nga VV-ja është asamblisti më i votuar i kësaj partie në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Ilir Pallqa.

Ky i fundit sot ka treguar arsyet e largimit nga partia më e madhe në vend.

Në profilin e tij në “Facebook”, Pallqa ka përmendur edhe disa kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Në vitin 2017 u anëtarësova në Lëvizjen Vetëvendosje. Qëllimi i aktivizimit tim politik ka qenë të jap kontribut më të drejtpërdrejtë për shoqërinë e Rahovecit, por edhe më gjerë. Jam përpjekur të kontriboj; një pjesë e aktivitetit tim është publik, ndërsa pjesën tjetër e njohin ata me të cilët kemi rrugëtuar bashkë. Në vitin 2021 fitova besimin e banorëve që t’i përfaqësoj në Kuvend. Jam përpjekur të jem aktiv dhe t'i përfaqësoj ata në mënyrën më të mirë, aq sa di dhe ashtu si di. Kryesia e LVV-së, me në krye Albin Kurtin, më shumë se dy vite më parë, shkarkoi Visar Korenicën, koordinatorin e qendrës në Rahovec, vetëm sepse ai votoi kundër Kodit Civil; kundër kodit i cili, sipas tij, sipas votuesve të tij, dhe sipas meje si shok i tij, ndikon negativisht në shoqëri”, ka shkruar Pallqa.

Pavarësisht shpresës për reflektim, ka thënë ai, një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga Kurti.

Ka shumë deputetë të tjerë që kanë votuar kundër propozimeve të ndryshme nga qeveria, por nuk janë shkarkuar. Është shkarkuar vetëm ai që ka votuar kundër Kodit Civil, i cili nuk ishte në programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Albini dhe të gjithë në VV e dinin bindjen e Visarit kur ai garoi për deputet; e dinin se një besimtar nuk mund të votojë asnjëherë një kod i cili njeh martesat e atij lloji. Nëse e ke pranuar duke e njohur, pse është shkarkuar? Flirtimi i kryeministrit me besimtarët musliman ka qenë i vazhdueshëm, nga fjalët se "në Kosovë nuk ka aq ekstremizëm sa ka islamofobi", dhe se "nuk ka rëndësi çfarë ke mbi kokë, por ajo çfarë ke brenda kokës," duke iu referuar shamive, por përsëri udhëzimi për mosbajtjen e shamive në shkolla mbetet në fuqi”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat po përballet VV-ja.

Sot vendosa të marr një vendim, i cili, duke marrë parasysh fuqinë aktuale të LVV-së, ndikon negativisht tek unë si Ilir. Por Ilirët shkojnë e vijnë, ndërsa shoqëria mbetet, dhe ne, si pjesë e kësaj shoqërie, e kemi për detyrë të dalim përtej vetes kur besojmë se është në të mirën e gjerë. Unë e deklaroj publikisht se jap dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Me shpresën që do të ketë reflektim, përulësi dhe veprim në të mirë të shoqërisë, të paktën në të ardhmen”, ka shkruar ai, duke u zotuar se do ta vazhdojë aktivitetin e tij politik.

Unë vazhdoj aktivitetin tim politik për vendin tim dhe këtë shoqëri, derisa kam fuqi të lëviz dhe zë për të folur, pa marrë parasysh nëse kam pozitë politike apo jo. Aktiviteti im nuk do të jetë asnjëherë në partitë që kanë kontribuar në shkatërrimin e shpresës së rinisë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, në muajin qershor nga VV-ja është larguar edhe aktivisti Salem Lepaja, i cili ishte edhe profesor e kryeministrit Albin Kurti.

Ndonëse pak kohë më parë ai Kurtin e cilësonte si gjeni, Lepaja në profilin e tij në “Facebook” kishte treguar se më nuk është pjesë e partisë në pushtet.

Të nderuar miq të FB! Ju njoftoj se nuk jam më anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV)”, kishte shkruar Lepaja.

Po ashtu, gjatë këtij viti nga partia në pushtet është larguar edhe aktivisti hershëm në Mitrovicë, Arsim Musa.

Ky i fundi, në shenjë dëshpërimi kishte djegur edhe kartelën e anëtarësisë së VV-së.

Edhe unë si qytetar i Mitrovicës së Jugut kam menduar se do ketë ndryshime, por siç po shihet nuk do ketë ndryshime. Çka kanë shtruar asfalt PDK-ja, pushteti 51% kripë nuk kanë me qitë në sezonin dimërore. Paga të vogla, ngritje çmimesh, rryma 104%, shporta familjes e rënduar, e pensione të vogla.”, kishte thënë ai për “Jepi zë”.

Prej ardhjes në pushtet, VV-ja është braktisur nga shumë zyrtarë dhe aktivistë të zellshëm të saj. Madje, nga kjo parti janë larguar edhe disa deputetë.

Në mesin e deputetëve që janë larguar nga Grupi Parlamentar i VV-së janë Haki Abazi dhe Fatmir Humolli.

Lajme të ngjashme