Ish-presidentja realizon takime sa qeveritarët në Mynih: Dy kryediplomatë takon Jahjaga, dy Kurti e Gërvalla
Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla në ditët e para të Konferencës për Siguri në Mynih nuk kanë arritur të realizojnë ndonjë takim të nivelit të lartë. Shumë më aktive në këtë drejtim është treguar ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në bazë të njoftimeve zyrtare, në kuadër të kësaj konference, Jahjaga ka pasur 10 aktivitete, Kurti 5 dhe Gërvalla 7.
Në ditën e parë të konferencës, kryeministrit Kurti dhe ministrja Gërvalla kanë takuar ndaras emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, dhe disa ministra të shteteve që e kanë njohur Kosovën.
Takimi më i rëndësishme që Kurti ka realizuar në margjinat e kësaj konference është ai me Ministrin e Jashtme e Turqisë, Hakan Fidan.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit janë treguar temat që janë diskutuar në këtë takim.
“Kryeministri tha se Turqia është partner dhe aleat i Kosovës me të cilin kemi marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunim të afërt në shumë fusha, përfshirë ekonomi dhe mbrojtje. Ai e falënderoi ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë për Kosovë në rrafshin ndërkombëtar, kontributin në sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it dhe partneritetin në zhvillimin e industrinë vendore të mbrojtjes me marrëveshjen e nënshkruar me kompaninë turke MKE për funksionalizimin e fabrikës së municionit”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Paraprakisht, shefi i qeverisë ka takuar ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić, dhe deputeten finlandeze, njëherësh Kryetaren e Grupit Parlamentar të Partisë Social-Demokratike në parlamentin e Finlandës dhe Kryetaren e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, Tytti Tuppurainen.
Takime të nivelit edhe më të ulët ka pasur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ka udhëtuar bashkë me kryeministrin në Mynih.
Fillimisht, ajo është takuar përfaqësuesen e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.
Më pas, takim ka realizuar me senatoren amerikane Elissa Slotkin dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Andorrës, Imma Tor Faus.
Në ditën e parë të konferencës, ajo ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Ervin Ibrahimović.
Kurse, në ditën e dytë të konferencës, ajo ka marrë pjesë në takimin e Rrjetit të Ministreve të Jashtme, i cili mbahet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Më aktive se qeveritarët në këtë konferencë është treguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në dy ditët e para të konferencës, ajo ka takuar ministra të jashtëm të shteteve që e kanë njohur Kosovën, diplomatë dhe ka marrë pjesë në disa forume të rëndësishme.
Në margjinat e kësaj konference, Jahjaga sot është takuar me kryediplomatin shqiptar, Igli Hasani, ku ka diskutuar për forcimin e raporteve në mes të dy vendeve.
“Një takim vllazëror me mikin tim, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani dhe miken time Valbona Zeneli, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Me Ministrin diskutuam mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë konferencë globale, duke theksuar nevojën për një zë të fortë dhe të bashkuar në adresimin e sfidave rajonale dhe ndërkombëtare. Kërkova nga Ministri ndihmën e Shqipërisë në avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si dhe kordinimin e aktiviteteve për të mirën e dy vendeve dhe gjithë rajonit”, ka shkruar Jahhjaha në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, një ditë më parë, ajo ka takuar edhe Ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Arabisë Saudite, Adel Al-Jubeir.
“Në Mynih takova Ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Arabisë Saudite, Adel Al-Jubeir, me të cilin biseduam për marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kërkova në mënyrë të veçantë mbështetjen e Arabisë Saudite për të forcuar më tej pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë përkrahjen në njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe tërheqje të investimeve nga Arabia Saudite”, ka shkruar Jahjaga.
Gjatë kësaj konferencës, ish-presidentja Jahjaga, ka takuar ambasadorin amerikan Philip T. Reeker; ish-kongresisten amerikane dhe Kryetaren e Komisionit për Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare, Jane Harman; Presidenten e Women Political Leaders, Silvana Koch Mehrim; Kryesuesin dhe Drejtorin Menaxhues të Grupit ARTOC për Investime si dhe udhëheqësin e Fondacionit, Mohamed Shafik Gabr.
Ish-presidentja Jahjaga ka marrë pjesë edhe në disa forume që janë mbajtur në kuadër të kësaj konference, duke përfshirë Forumin Transatlantik, ku ka marrë pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe përfaqësues të Qeverive e Institucioneve nga vendet e ndryshme që kanë biseduar mbi forcimin e NATO-s.
Në këtë konferencë, Kosova po përfaqësohet edhe nga presidentja Vjosa Osmani. Në krahasim me Kurtin dhe Gërvallen, Osmani në ditët e para të konferencës ka realizuar shumë më tepër takime të rëndësishme.