Ish-presidenti rus, Medvedev, e përmend shtyrjen e kufijve të Polonisë
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha të premten se mënyra e vetme që Moska të sigurojë paqe të qëndrueshme Ukrainën, është që t’i shtyjë kufijtë e shteteve armiqësore sa më larg që është e mundshme, edhe nëse kjo do t’i nënkuptonte kufijtë e anëtares së NATO-s, Polonisë.
Medvedevi, i cili tani e ushtron detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë në Rusi, e bëri këtë koment në rrjete sociale saktësisht një vit pas dërgimit të dhjetëra mijëra ushtarëve rusë në Ukrainë në atë që Moska e quan “operacion special ushtarak” për t’i mbrojtur folësit e rusishtes dhe për ta garantuar sigurinë e vet, raporton agjencia “Reuters”.
Ukraina thotë se është duke e mbrojtur veten nga një luftë e paprovokuar agresioni dhe është zotuar se do to ta rimarrë territorin e vet me forcë, përfshirë Krimenë, gadishull i aneksuar nga Rusia më 2014.
Medvedevi, aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, parashikoi të premten se Rusia do të jetë ngadhënjimtare dhe se njëfarë marrëveshje do t’u japë fund luftimeve.
“Fitorja do të arrihet. Të gjithë ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme dhe ajo ditë do të vijë”- tha ish-presidenti rus. Ai parashikoi se bisedimet e vështira me Ukrainën dhe me Perëndimin do të përfundojnë “me një lloj marrëveshje”.
Megjithatë, ai tha se kësaj marrëveshjeje do t’i mungojnë ato që Medvedevi i quajti “marrëveshje themelore për kufij të vërtetë” dhe se ajo nuk do të përbëjë pakt gjithëpërfshirës evropian të sigurisë, duke e bërë jetik për Rusinë zgjerimin e kufijve të saj tani.
“Për këtë arsye, është e rëndësishme që të arrihen të gjitha qëllimet e operacionit special ushtarak. Të shtyhen prapa kufijtë që e rrezikojnë vendin tonë sa më larg që është e mundshme, edhe nëse ata janë kufij të Polonisë”- tha ai.
Polonia ka kufi gjatë në lindje me Ukrainën dhe me aleaten e Rusisë, Bjellorusinë, dhe rreth 200 kilometra kufi në skajin verilindor me enklavën ruse, Kaliningrad.
Ish-presidenti Medvedev përdor ton të ashpër dhe ka bërë disa deklarata të çuditshme që nga fillimi i luftës. Disa analistë politikë kanë thënë se ai është njëri ndër personat të cilët Putini një ditë mund t’i konsiderojë për të qenë pasardhës të tij.

