Pa sukses për të treguar, pa vizion për të ardhmen – Kurti e nis fushatën me mburrje për 'sigurimin e vaksinave'
Nëse dikush kishte ende dyshime se zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të mbeteshin të paparashikueshme për shkak të vorbullës së zhvillimeve pas 9 shkurtit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sapo e provoi të kundërtën. Në fjalën e tij pasi mori besimin e kandidaturës për kryeministër, Kurti jo vetëm që dështoi të artikulonte vizionin më minimal, por nuk pati as edhe një sukses real, të matshëm, për të treguar. Ai nisi të mburrej për vaksinat e para pesë viteve, duke e vendosur ish-opozitën para një mundësie të artë në prag zgjedhjesh.
Para Këshillit të VV-së dje, Kurti rifreskoi narrativën e tij tashmë të konsumuar: “opozita” që, sipas tij, paska sabotuar marrëveshjet ndërkombëtare; rreziqet financiare të paraqitura si konstrukt opozitar; ndërsa Kosova, sipas të njëjtit, “nuk ka krizë ekonomike”, por vetëm një “krizë legale e procedurale”.
“Përfunduam këtu për shkak se këto parti, pas bllokimit për 10 muaj, krizën legale tani duan ta shndërrojnë në një krizë sociale. Njerëzit të ngelin pa paga, të mos mund t’i marrin pagat me rritje, të shkaktohen deficite buxhetore, borxhe të shtuara. Një krizë që është veçse legale e procedurale, dëshirojnë që ta shndërrojnë në krizë sociale, sepse krizë ekonomike, financiare në vendin tonë nuk ka.” – tha ai.
Megjithatë, autogoli i Kurtit qëndron te një fakt sa i thjeshtë aq edhe dëshpërues: në mungesë të rezultateve, ai u detyrua të zhbironte në arkivat e pluhurosura të vitit 2021 për të gjetur një “arritje” që të justifikonte të tashmen. Dëshmi e kristaltë e boshllëkut performativ në vitet pasuese.
“Në dy vitet e para qeverisja jonë ishte shumë e kufizuar. Së pari prej krizës së madhe të pandemisë Covid-19. Së pari, nuk e gjetëm jo asnjë vaksinë, por nuk e gjetëm asnjë kontratë për vaksinat dhe arritëm që mbi 60 për qind të popullsisë ta vaksinojmë së paku me një vaksinë qysh në vitin e parë 2021 – pra për më pak se nëntë muaj të qeverisjes sonë.” – tha Kurti.
Përmendja e sigurimit të një kontingjenti vaksinash nga viti 2021 si “meritë qeverisëse” për të kërkuar besimin e qytetarëve për periudhën 2026–2029, ekspozon një lodhje politike të dukshme dhe një mungesë vizioni gati të vetëpranuar.
Por, momenti ku Kurti shkëputet plotësisht nga realiteti faktik i viteve të fundi është çështja e krizës energjetike dhe bllokimi i miliarda eurove nga Bashkimi Evropian.
Kreu i VV-së e paraqiti menaxhimin e krizës energjetike dhe performancën e KEK-ut si një histori suksesi dhe fitimi, në një kohë kur Kosova po përjeton njërën prej krizave më të rënda energjetike, me çmimet e faturave të energjisë elektrike që u rriten eksponencialisht pikërisht gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.
“Sikur kjo krizë të mos mjaftonte, mënjeherë pastaj ajo energjitike dhe e inflacionit – për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Me masat e efiqiencës dhe subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për qytetarët tanë dhe me qeverisjen e mirë në ndërmarrje publike në përgjithësi, e posaçërisht me performancën e KEK-ut që filloi të punojë me fitim të shtuar, ne arritëm që edhe nga kjo krizë të dalim fitimtarë”, tha Kurti.
Kurti më tej u përpoq të shfaqte dhembshuri lidhur me mospranimin e fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së, megjithëse ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaronte në kulmin e ngërçit institucional se, madje edhe pa disbursim, “buxheti i Kosovës në asnjë moment nuk vihet në vështirësi.”
“Sot po gjendemi para zgjedhjeve të reja dhe me rreziqet e krizave financiare, prej RTK-së te tri komunat e Kosovës dhe sidomos para një dëmi prej 1.1 miliardë euro pas refuzimit të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, qofshin ato me Bankën Botërore apo nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian”, u shpreh Kurti.
Përtej deklaratave të Bislimit, Kosova vazhdon të mbetet nën sanksionet e Bashkimit Evropian, sanksione që kanë rrënjët drejtpërdrejt te veprimet e qeverisë Kurti. Këto masa vazhdojnë t’i kushtojnë vendit qindra miliona euro.