Ish-ministri Ethem Çeku: Liberalizimi i tregut të energjisë, dobëson ekonominë dhe shkakton pasiguri - NACIONALE

Ish-ministri Ethem Çeku: Liberalizimi i tregut të energjisë, dobëson ekonominë dhe shkakton pasiguri

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i Ekonomisë në periudnë 2006-2008 dhe profesori Ethem Çeku, ka kritikuar institucionet për mënyrëns e si e kanë nisur liberalizimin e tregut të energjisë.

Sipas tij, në Kosovë, energjia ka mbetur peng i politikave ditore. Dhe liberalizimi në kushtet aktuale, vetëm shkakton rritje të pasigurisë dhe e dobëson ekonominë.

Në një opinion të publikuar në rrjetin e tij social, Çeku ka përdorur edhe krahasime nga Bashkimi Evropian.

“Kësisoj, shumica e qeverive të Kosovës, në vend që ta shohin energjinë si themelin e zhvillimit ekonomik dhe të pavarësisë kombëtare, ia kanë “vrarë shpirtin zhvillues” vendit duke e kthyer atë në një fushë përplasjesh politike. Politizimi ka penguar krijimin e një vizioni afatgjatë, ka bllokuar projekte strategjike si “Kosova C”, dhe e ka bërë vendin gjithnjë e më të varur nga importet. Liberalizimi i tregut në kushte të tilla nuk ka qenë hap drejt zhvillimit, por hap drejt dobësimit të mëtejshëm ekonomik dhe rritjes së pasigurisë energjetike”, ka shkruar ai, raporton Nacionale.

“Ajo që e veçon Kosovën nga shumica e vendeve të tjera është politizimi ekstrem i sektorit energjetik. Në Gjermani, Britani apo Poloni, energjia është trajtuar si politikë kombëtare afatgjatë, e lidhur ngushtë me sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik. Në Kosovë, përkundrazi, energjia është shndërruar në një instrument politik të qeverive të radhës. Vendimmarrjet nuk janë mbështetur gjithmonë mbi analiza ekonomike dhe strategjike, por shpesh mbi llogaritje të ngushta partiake. Projektet madhore ose janë bllokuar, ose janë përdorur si element retorik në debatin politik, duke penguar ndërtimin e një baze të fortë energjetike”, tha ai.

Sipas ish-ministrit Çeku, Kosova nuk ka mësuar nga praktikat ndërkombëtare.

“Kosova, në vend që të mësonte nga këto përvoja, ndërmori hapin e liberalizimit për kompanitë e mëdha pa siguruar më parë kapacitete të reja prodhuese. Ky vendim e ka detyruar sektorin privat të lidhet me furnizues të jashtëm, duke i ekspozuar bizneset ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare dhe duke rritur ndjeshëm kostot e tyre. Në vend që të krijohej konkurrencë e shëndetshme, u gjenerua paqëndrueshmëri dhe varësi gjithnjë e më e madhe nga importet”, tha ai.

Por, kur mund të krijojë përfitime liberalizimi i tregut të energjisë?

“Nga përvojat ndërkombëtare del qartë se liberalizimi mund të sjellë përfitime vetëm nëse paraprihet nga krijimi i kapaciteteve të brendshme të qëndrueshme dhe nga një strategji e depolitizuar e zhvillimit energjetik. Në Kosovë, ky proces nuk është trajtuar si projekt kombëtar, por si instrument i politikës ditore, dhe për pasojë ka prodhuar efekte të kundërta nga ato të synuara. Vetëm përmes një strategjie që kombinon ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe, mbi të gjitha, depolitizimin e sektorit, Kosova mund ta shndërrojë energjinë nga fushë krize në motor të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha ai.

Lajme të ngjashme