Ish-këshilltari i Konjufcës: Isha dëshmitar okular i presionit ndërkombëtar
Drilon Gashi, ish-këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shkruar një status në të cilin ka komentuar përgjimet e publikuara nga Nacionale, ku konfirmohet se Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, ka biseduar me Milan Radojiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Brezovica” dhe në listë të zezë të ShBA-së.
Gashi fillimisht ka shkruar për "presionin ndërkombëtar" që të kalonte Projektligji për liritë fetare.
Tutje, ai ka shpjeguar rolin e Listës Serbe për të kaluar këtë ligj.
“Në kohën sa isha këshilltar politik i Kryetarit të Kuvendit, isha dëshmitar okular i një presioni të vazhdueshëm ndërkombëtar që sa më parë të votoheshin dhe miratoheshin disa gjëra, ndër to si më prioritet ishte edhe PROJEKTLIGJI PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR LIRINË FETARE NË KOSOVË”, ka shkruar Gashi.
“Kam qenë personalisht i interesuar për këtë ligj dhe për rrugën e tij, dhe më interesonte fakti se pse nuk është votuar gjatë gjithë kësaj kohe. Arsyeja kryesore për këtë ngërç ishte Pakica Serbe, e cila vazhdonte të anashkalonte dhe të mos merrte pjesë në votim”, ka shkruar ai.
Ish-këshilltari i Konjufcës, ka kritikuar përgjuesit e bisedës më zonjën Kusari-Lila.
“Tash, unë si person që i kam parë gjërat nga afër, nuk e di ku na qenka gabimi që Zonja Kusari i paska pyetur në kuvend këta individë të listës Serbe se a duan t’i votojnë këto ligje a jo?!
Përgjimet që i janë bërë asaj më duken të ulta, tendencioze dhe në të njëjtën kohe edhe tradhtare”, ka shkruar ai.
Ai përmes vargjeve të Kuranit, librit të shenjtë të Islamit, ka kritikuar gazetën Nacionale për publikimin e përgjimeve mes Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit, zyrtar i Listës Serbe.
Disa gazetarë sot ngjasojnë me disa poetë dhe astrologë të kohës së profetit Muhamed, të cilët Kurani i Shenjtë i përshkruan kështu:
[A doni t’ju tregoj se kujt i zbresin djajtë?
Ata i vijnë çdo gënjeshtari gjynahqar.
Ata përgjojnë, por shumica e tyre janë gënjeshtarë.
Poetët ndiqen nga njerëzit e humbur.
Vallë, a nuk e sheh ti, që ata bredhin në çdo luginë (duke shpërndarë fjalë të kota me qëllim që ti devijojnë njerëzit nga Rruga e Zotit)
duke folur atë që (praktikisht vetë) kurrë s’e bëjnë?
Përveç atyre (poetëve dhe gazetarëve) që besojnë, bëjnë vepra të mira, e përmendin shumë Allahun dhe mbrohen, vetëm atëherë kur u është bërë padrejtësi.
Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen] (Shuara: 221-227).
