Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese: Labani është jurist i shkëlqyer, por zgjedhja e tij ishte e kundërligjshme
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se gjyqtari Radomir Laban është dalluar si jurist i shkëlqyeshëm.
Megjithatë, sipas saj, zgjedhja e tij si gjyqtar i Kushtetueses në vitin 2018 ishte e kundërligjshme dhe kundërkushtetuese për shkak të kaluarës së tij kriminale.
“U befasova për lajmin, por jo për të vërtetën që tha presidentja Osmani”, ka thënë Mushkolaj në “Interaktiv” të KTV-së, duke nënvizuar se nuk është e qartë nëse Gjykata Kushtetuese ishte informuar më herët për raportin e Agjencisë së Inteligjencës (AKI), ndonëse, sipas saj, rrethana të tilla kanë qenë të njohura në publik dhe në institucione përmes raportimeve mediatike.
Mushkolaj kujtoi se Labani ishte përzgjedhur nga Komisioni i Kuvendit dhe se nuk është dashur të procedohej për votim në seancë plenare.
“Nuk është dashur t’u servohet deputetëve për votim emri i tij”, ka shtuar ajo.
Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese, ndonëse nuk ka përjashtuar asnjë gjyqtar, në të kaluarën ka larguar përkohësisht gjyqtarë nga vendimmarrja për shkelje të kodit etik – duke e cilësuar rastin e Labanit si më serioz, për shkak të së kaluarës së tij.
“Është i dënuar me burg si pjesë e një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar doganor në Serbi. Ka punuar edhe si këshilltar në Kushtetuese. Është dalluar si jurist shumë i mirë, ka punuar në tre gjuhë dhe çka ka shkruar në shqip ka qenë më mirë sesa juristët e rëndomtë shqiptarë. Profesionalisht i shkëlqyer, por zgjedhja e tij ka qenë kundërligjshme dhe si gjyqtar, kundërkushtetuese”, theksoi Mushkolaj.