Ish-gjenerali i NATO-s në 24 vjetorin e bombardimeve : Askush nuk e priste që fushata ajrorë të zgjaste 78 ditë
Sot është 24-vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet serbe në Kosovë, ku dhe sollën kapitullimin e Serbisë.
Këtë ditë e ka rikujtuar edhe ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ku i ka përshkruar si stresuese, 78 ditët e bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Ai, ishte zëri i NATO-s, gjatë 78 ditëve të bombardimëve pasi që ai u drejtohej mediave nga selia qendrore në Bruksel, ku ishte bërë një ndër figurat më të rëndësishme të popullit kosovar në ato ditë të vështira.
“78 ditët kanë qenë stresuese, por sigurisht që edhe më stresuese ishin për qytetarët e Kosovës që ishin në bodrume dhe të fshehur, dhe që duhej të duronin dhunën. Pra, jeta ishte shumë më e lehtë për mua në Bruksel sesa për të gjithë ju në Kosovë. Mirëpo kjo lidhje me popullin e Kosovës, ishte një moment magjik.” ka theksuar ish-zëdhënësi i NATO-s, në një intervistë për KosovaPress.
Ai ka deklaruar se NATO, ishte e vendosur të ndalonte dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë që po bëheshin atë kohë nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, ku përreth 24 marsit dhuna ishte rritur.
Ish-zëdhënësi i NATO-s, tha se në kohën kur NATO, filloj fushatën ajrorë kishin ndjerë keqardhje për atë se çfarë ishte duke ndodhur në Kosovë.
“Ishte një vendosmëri, sepse NATO kishte një vit që përpiqej për të bindur presidentin Millosheviq të largonte forcat e tij speciale nga Kosova, të ndalonte fushatën e represionit të popullit shqiptar kosovar dhe të pranonte një zgjidhje paqësore të negociuar, e cila do t'i kthente Kosovës autonominë e saj. Fatkeqësisht, presidenti Millosheviq nuk ishte i përgatitur të pranonte zgjidhjen diplomatike, ndërkohë dhuna para 24 marsit u rrit ndjeshëm, kishim pasur masakrën e Reçakut në janar, dhe kështu kur NATO filloi fushatën ajrore, kishim ndjenjë keqardhjeje, që na u desh të përdorim forcën, por në të njëjtën kohë ishim të vendosur për t'u siguruar që të ndalojmë dhunën, të ndalojmë shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe nuk patëm një situatë tjetër të tmerrshme si gjenocidi në Srebrenicë, në Bosnje, më 1995. Ne duhej të siguroheshim që të vepronim me vendosmëri dhe të palëkundur.”-ka treguar ai.
Ai deklaroj se askush në NATO, nuk kishte pritur që fushata ajrorë të zgjaste 78 ditë.
“Në NATO të gjithë shpresonim që fushata ajrore, fillimisht të zgjaste 24 orë, presidenti Millosheviq do të shihte se NATO është e bashkuar dhe e vendosur, se ai nuk mund të fitonte, dhe se opsioni i tij më i mirë ishte të plotësonte kushtet e Komunitetit Ndërkombëtar dhe të kthehej në tryezën e bisedimeve. Por Millosheviqi ishte një njeri kokëfortë, siç e dini mirë, një njeri shumë cinik, dhe ai vendosi që të luftonte. Ai donte të sfidonte NATO-n, nuk ishte i përgatitur të hiqte dorë, kështu që vazhdoi për 78 ditë, por për NATO-n, ajo që kishte rëndësi nuk ishte kohëzgjatja e operacionit, ishte rezultati që po arrinte, fundi i represionit, për t'i lejuar popullit të Kosovës të kthehej në shtëpitë e veta dhe për t'i lejuar Kosovës të jetonte në paqe dhe liri. Pra, jam i sigurt që nëse do të kishte zgjatur 178 ditë, për sa i përket NATO-s, nuk do të kishte ndryshim”- ka theksuar Shea.
Ish-zëdhënësi i NATO-s thotë se Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe sipas tij Serbia do të duhet të pranojë këtë.