Ish-ambasadori amerikan në Kosovë: ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta rimendojnë Asociacionin pas Banjskës - NACIONALE

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë: ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta rimendojnë Asociacionin pas Banjskës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Philip Kosnett, ish-ambasador i ShBA-së në Kosovës, bashkë me Anthony Godfrey, ish-ambasador i ShBA-së në Serbi, kanë bashkëbiseduar ditë më parë në lidhje me situatën e dialogut dhe të sigurisë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në bashkëbisedimin e titulluar “Kosovë - Serbi: Nga do të shkojmë nga kjo pikë?", Kosnett ka dhënë edhe ca ide se si të ecët përpara.

Në analizën e tij, Kosnett ka folur edhe për idetë për të ecur përpara pas sulmit terrorist në Banjskë, ku ra në krye të detyrës një polic kosovar dhe u vranë tre terroristë. Duke shkruar për Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), Kosnett ka shkruar se ShBA-ja dhe BE-ja, pra komuniteti ndërkombëtar, duhet ta rimendojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Tutje, ai ka theksuar se BE-ja e ShBA-ja duhet të gjejnë argumente bindëse rreth Asociacionit, duke dhënë garancione të forta se ky organizëm nuk e kërcënon sigurinë e Kosovës.

“Së pari, pas Banjskës, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rimendojnë Asociacionin. Në të kaluarën, diplomatët perëndimorë (përfshirë edhe mua) kanë deklaruar se vetëqeverisja e kufizuar për komunat serbe mund të zvogëlojë me kohë mosbesimin ndërmjet serbëve të Kosovës dhe fqinjëve të tyre me shumicë shqiptare. Kosovarët kanë frikë se Asociacioni mund të përbëjë një kërcënim të brendshëm të sigurisë dhe paralajmëron ndarje de facto. Shumë e krahasojnë ASM me Republikën Srpska ultranacionaliste të Bosnjës, duke i parë të dyja si të dobishme për përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar Ballkanin. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja duan ta shesin në Kosovë ndonjë version të Asociacionit, atyre do t'u duhet të gjejnë një argument bindës se ai nuk do të kërcënojë sigurinë e Kosovës.” – shkroi Kosnett.

Lajme të ngjashme