Ish-agjentët e FBI-së të shokuar nga aktakuza ndaj ish-kolegut të tyre me lidhje në Shqipëri
Bota e izoluar e agjentëve të FBI-së për kundërzbulim u godit muajin e kaluar, kur një ish-koleg i tyre, Charles F. McGonigal, dikur zyrtari më i lartë i kundërzbulimit në FBI në Nju Jork, u akuzua nën dyshimin se u ka shitur qasje zyrtarëve rusë e shqiptarë në këmbim të qindra mijëra dollarëve kesh.
Pas largimit nga FBI-ja më 2018, McGonigal akuzohet se ka punuar në mënyrë të paligjshme për njërin nga oligarkët më famëkëqinj të Rusisë, Oleg Deripaska, i cili ishte lidhur me hetimet e FBI-së për Rusinë falë lidhjeve të tij me ish-menaxherin e fushatës së Donald Trumpit, Paul Manafort.
Disa ish-zyrtarë të FBI-së, të cilët kanë punuar me McGonigalin, i thanë televizionit CNN se janë të shtangur, të zhgënjyer dhe të zemëruar, kur morën vesh për këtë lajm. Njëri i quajti akuzat “tmerruese”.
“Ky njeri ishte i respektuar në mënyrë të pabesueshme dhe vërtet shihej si ekspert karriere i kundërzbulimit”, sipas një ish-zyrtari të lartë të FBI-së që kishte punuar me të. “Ai ishte njëri nga këto yjet e rokut (në kundërzbulim) që, kur paraqiteshin punë të vështira e detyra shumë të ndjeshme, ai ishte në listën e ngushtë të njerëzve që do t’i shikoje e do t’u thoshe: “Hej, ku është Charlie, çfarë do të bëjë në gjashtë muajt e ardhshëm”- shtoi ai.
Ka pasur spekulime për dëmin e mundshëm që McGonigali mund ta ketë shkaktuar, nëse ka shpërfaqur ndonjë informatë të ndjeshme që do të mund ta dëmtonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Si zyrtar i lartë i kundërzbulimit, McGonigali kishte qasje në disa prej të dhënave më të ndjeshme që i kishte FBI-ja si dhe në të dhënat e CIA-s dhe agjencive të tjera.
Ish-zyrtarët që e njohin punën e tij, thanë se ai mund të ketë qenë i informuar për teknikat grumbulluese të FBI-së, për operacionet kundër diplomatëve rusë në ShBA dhe për më shumë gjëra.
Ka pyetje edhe për afërsinë e McGonigalit me disa hetime të profilit të lartë, përfshirë ato që i përfshijnë ish-sekretaren Hillary Clinton dhe njerëzit e afërt me Donlad Trumpin.
Të gjitha këto kanë nxitur interesim për këtë rast, përfshirë së voni interesimin nga Kongresi. Senatori DickDurbin, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Drejtësi, po kërkon informim për “gjerësinë e vërtetë në të cilën shkelja e dyshuar e McGonigalit mund të ketë pasur ndikim në këto çështje shumë të ndjeshme, përfshirë atë nëse ai ka komprometuar burime, metoda a analiza të ndjeshme” dhe “nëse shkelja e dyshuar e tij ka prekur në mënyrë materiale ndonjë hetim ose nëse e ka komprometuar më tej sigurinë tonë kombëtare”.
Burimet e informuara për këtë çështje i kanë thënë televizionit CNN se, të paktën tash për tash, zyrtarët e FBI-së nuk e shohin McGonigalin si spiun, por si ish-zyrtar të korruptuar që ka synuar të pasurohet gjatë largimit nga agjencia. Zyrtarë të lartë të FBI-së nuk e cilësojnë poshtërim arrestimin e tij, por më shumë si shenjë se byroja është e gatshme që t’i ndjekë edhe ish-anëtarët e saj që akuzohen për shkeljen e ligjit.
McGonigal dyshohet se ka marrë 80 mijë dollarë kesh nga një person që më parë kishte punuar për inteligjencën shqiptare.
