Intervistimi i Abazit dhe deklarimet e çuditshme të Haxhiut dhe Sallahut për zhdukjen e mostrave të Deharit
Deputeti aktualisht i Vetëvendosjes, Haki Abazi, do të intervistohet sot nga Prokuroria pas dyshimeve të ngritura për zhdukjen e mostrave të rastit të Astrit Deharit. Fjalët e tij në konferencën e javës së kaluar tronditën vendin. Kryeministri, Albin Kurti nuk është deklaruar për pretendimet e tij teksa pushteti po e bën edhe më dyshues zhdukjen e mostrave.
Çka ndodhi?
Haki Abazi gjatë javës së kaluara ngriti dyshime se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur dhe për këtë çështje të implikuar janë zyrtarë të qeverisë. Ai tha se ka video-inçizime që shihet se kush i ka zhdukur mostrat e Deharit.
Abazi për këto deklarata sot në ora 10:00 do të intervistohet nga Prokuroria e Shtetit.
Në anën tjetër, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka bërë kërkesë ndaj Prokurorisë që të jetë i pranishëm gjatë intervistimit të tij.
“Në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari sot me shkrim kam kërkuar që të marr pjesë gjatë marrjes në pyetje të tij në Prokurori. A do të na thërras Prokuroria apo jo e marrim vesh të martën.” - ka shkruar Gashi në Facebook.
Çka thotë pushtetit?
Deri më tani, kryeministri, Albin Kurti nuk ka komentuar deklaratat e ish-vartësit të tij në Qeverinë Kurti 1.
Kurti po vazhdon të hesht për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Në anë tjetër, dyshime të reja janë theksuar nga pushteti.
Menjëherë pas akuzave të Abazit, deklarata të çuditshme kishte dhënë ministrja Albulena Haxhiu. Ajo kishte hedhur dyshime se pamjet e kamerave që tregojnë se kush hyri në dhomën ku gjendeshin mostrat e rastit Dehari mund të mos egzistojnë.
Ndërkaq, kishte thënë se deklarimet e Abazit janë tendecioze dhe të pabaza.
“Dhe duke qenë e shqetësuar me deklaratat që ai ka dhënë, ndonëse unë e di që janë tendencioze, janë akuza të pabaza, megjithatë unë menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit që i njëjti t’i dërgojë deklaratat e tij në Prokurorinë Speciale, sepse siç jeni në dijeni Prokuroria Speciale është aktualisht duke trajtuar rastin të cilën e kemi dërguar para pak kohësh që ka të bëjë me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit” – kishte thënë ajo.
Ministrja Haxhiu ishte intervistuar më 18 janar për zhdukjen e mostrave të Deharit.
Po ashtu, një deklarim të çuditshme e ka bërë edhe zëvendës-ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu. Bile ai kërkoi që rasti të hetohet nga ndonjë prokurori e jashtme.
Ai ka thënë se mostrat e Deharit mund të jenë zhdukur më herët se kur është lajmëruar rasti.
“Mostrat e Astrit Deharit janë parë në eproveta në tetor të vitit 2021, atëherë kur i kanë dhanë Instituti zviceran në raportin e dytë. Duhet të bëjmë një dallim, që lajmërimi i rastit me humbjen e mostrave, nuk është i njejtë. Ka gjasë që janë zhdukur shumë më herët.” – ka thënë ai të hënën mbrëma në DebatPlus.
Kthimi në punë
Ndërkohë, katër zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që u suspenduan nga puna pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, janë kthyer në punë.
Nacionale të hënën raportoi ekskluzivisht për kthimin e zyrtarëve në vendin e punës.
Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala, tash e disa ditë po e vazhdojnë punën normalisht në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Disa javë pasi u pezulluan rreth zhdukjes së provave për rastin Dehari. ata janë kthyer në punë me vendim të Komisionit të Ankesave që mban datën 27 janar 2023.
Në anën tjetër, edhe zyrtarë të partive opozitare kanë kërkuar nga Prokuroria që edhe Kurti e Haxhiu të intervistohen për zhdukjen e mostrave dhe dyshojnë që ka persona që nuk dëshirojnë të zbardhin rastin e Astrit Deharit.




