Rasti Dehari: Heshtja e përçudshme e Albin Kurtit për zhdukjen e provave në IML
Ishte data 8 dhjetor e vitit të kaluar kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të njoftonte për herë të parë për zhdukjen e provave për rastin e vdekjes së dyshimtë të aktivistit Astrit Dehari. Prej atëherë e deri tash, kryeministri i vendit Albin Kurti, ka qenë në një heshtje shqetësuese. Çka ndodhi me rastin dhe pse kjo heshtje është e çuditshme?
Rasti i Astrit Deharit kishte qenë një prej temave kryesore të Vetëvendosjes prej fundit të vitit 2016 e këndej. Partia e drejtuar nga Albin Kurti vazhdimisht kishte bërë me gisht kah pushteti i kaluar, duke i implikuar në vdekjen e aktivistit të tyre.
Zhdukja e mostrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore ishte një rast i rëndë që ndodhi pikërisht gjatë kohës sa ata janë në pushtet. Dhe sipas njërit prej deputetëve të VV-së, Haki Abazit, heshtja e kryeministrit Kurti është e çuditshme.
Në një konferencë të mbajtur javën e kaluar, Abazi e theksoi këtë heshtje duke kërkuar që Prokuroria madje ta intervistonte Kurtin.
Zhvillimet më të reja
Katër zyrtarët e suspenduar për zhdukjen e provave janë rikthyer në punë. Por, edhe pse në vetëvete ky është një lajm i çuditshëm – marrë parasysh se sa i rëndë është ky rast – edhe më e çuditshme është heshtja e aktivistëve të Vetëvendosjes, shumë prej të cilëve janë zyrtarë të lartë shtetëror.
Asnjë reagim nuk e pati kryeministri Albin Kurti për këtë rast. Po ashtu, reagim nuk pati as ministrja Albulena Haxhiu. Nuk reagoi as këshilltarja e saj Nazlie Balaj. E reagimet ishin munguese edhe nga aktivistët që nuk mbajnë pozita drejtuese.
Një tjetër zhvillim domethënës ka të bëjë edhe me video-inçizimet. Sipas deputetit Haki Abazi, identiteti i personit që i vodhi mostrat është krejtësisht i verifikueshëm për shkak se hapësira e Institutit Mjeko-Ligjor është e mbikëqyrur nga kamerat për 24-orë. Megjithatë, nuk pati asnjë reagim në lidhje me çështjen në fjalë me Vetëvendosjen që nuk po kërkon zëshëm si më parë që të publikohen ato video-inçizime.
Në një reagim të sajin për këto zhvillime, deputetja e LDK-së (që ishte pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes) u shpreh se “dikush po dëshiron që rasti Dehari të mos zgjidhet kurrë” derisa i bënte edhe disa pyetje mjaft të vështira.
“A kanë humbur, apo janë zhdukur qëllimshëm mostrat? Apo, janë diku ku ka rrezik të tjetërsohen? Bëhen të papërdorshme? Apo, dikush po mundohet të na krijoj bindjen që po manipulohen? Dikush që nuk mundi ta pranoj të vërtetën sepse i dëmton politikisht? I implikon penalisht? Apo thjesht dikush që e kuptoi, më në fund, që e kishte pasur gjithë kohën gabim?” – u shpreh ajo.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, për çudi ka qenë jashtëzakonisht i qetë pas lajmit se ishin zhdukur provat por edhe tash kur u bë e ditur se ishin kthyer në punë të suspenduarit për zhdukjen e atyre provave.
Sot gjatë ditës ai ka thënë se Prokuroria do ta thirrte nesër për intervistim deputetin Haki Abazi, ndërkohë që nuk pati reagim fare për çështjen e rikthimit në punë të të suspenduarve.
Reagimi i fundit i Kurtit
Reagimi i fundit i kryeministrit Kurti për rastin Dehari u bë më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Ai aty jepte komentin e tij në lidhje me shfajësimin e aktivistëve të VV-së për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Në atë reagim, Kurti shprehej se duhej që thirrja “Drejtësi për Astritin” të bëhej edhe më e prerë, duke insistuar që aktivisti “ishte mbytur”.
“Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik” – thoshte kryeministri i Kosovës, duke anashkaluar krejtësisht çështjen e zhdukjes së provave që kishte lajmëruar as 20 ditë më herët.

