Intervistë | Sherifi: Haradinaj dhe Limaj e lënë larg Kurtin, dallimin mes premtimeve dhe realizimit kryeministri e ka të madh
Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, është shprehur optimist për rezultatet e koalicionit AAK-Nisma në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka vlerësuar se ky koalicion është një alternativë e re ndaj Qeverisë Kurti.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Sherifi ka treguar se cilat janë detyrat primare të këtij koalicioni.
Shefi ka thënë se AAK-Nisma fillimisht duhet të hartojnë një program zgjedhor dhe më pas ta prezantojnë atë para qytetarëve të Kosovës.
Zyrtari i lartë i Nismës ka kritikuar kryeministri Albin Kurti, duke thënë se Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj e lënë larg të parin e Qeverisë.
Ky i fundit, sipas Sherifit, dallimin mes premtimeve dhe realizimit e ka shumë të madh.
Nacionale: Z. Sherfi, Nisma sërish bëri koalicion me AAK-në. Pse?
Sherifi: Konsideroj që ky koalicion nuk duhet të shihet vetëm si koalicion vetëm i AAK-Nisma, por si një alternativë ndaj qeverisë për zgjedhjet e ardhshme që e kanë krijuar këto dy parti! Pra, një hapësirë ku mund të bashkohen të gjithë ata që nuk pajtohen me mënyrën që është duke udhëhequr kjo qeveri! Që janë të pakënaqur me kursin e kësaj qeverie si në rrafshin ekonomik, te sigurisë apo të politikës së jashtme. Koalicioni është i hapur për këdo që dëshiron t’i bashkojë forcat në funksion të ndaljes së degradimit të asaj që është arritur që nga paslufta!
Nacionale: Cilat janë pritjet e juaja për këtë koalicion?
Sherifi: Së pari, dy partitë duhet t’kryejmë detyrat e shtëpisë. Të krijojmë një program zgjedhor mbi bazën e deklaratës politike të nënshkruar nga dy kryetarët Haradinaj dhe Limaj. Pastaj të dalim në terren dhe të flasim me anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë. Pas kësaj faze programin zgjedhor do t’ua prezentojmë qytetarëve të Kosovës. Pasi të përfundojnë këto faza mund të flasim jo vetëm për pritjet, por edhe rezultatet e sakta që do të kemi! Pra, së pari duhet të bëjmë punën tonë!
Nacionale: Çka ju bën të mendoni se ky bashkëpunim do të jetë më i suksesshëm se ai i pari?
Sherifi: Për shumë arsye. Do të veçoj vetëm disa. Koalicioni i parë me AAK-në nuk ka dalë asnjëherë si i tillë para votueseve, për faktin se në minutat e fundit u bashkua edhe PDK-ja dhe nuk ishte më koalicion vetëm me AAK-në. Së dyti, sepse në Kosovë nuk ka më parti politike të pa provura në qeverisje siç ishte VV-ja. Dhe, tash zgjedhësit do të kenë rast të zgjedhin mes të gjithë atyre që veç kanë qenë të provuara. Dhe, krejt çka duhet të bëjnë është të krahasojnë çdo subjekt politik mes asaj që kanë premtuar dhe asaj që kanë realizuar. Dhe, nëse do të vendosin këtë parim kur të vendosin se kë duhet të votojnë, atëherë Haradinaj dhe Limaj i lënë larg të gjithë konkurrentët tjerë. Në veçanti e lënë larg kryeministrin Kurti, i cili, dallimin në mes të premtimeve dhe realizimit të tyre e ka shumë të madh!
Nacionale: Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes është thënë se ky koalicion paraqet një alternativat të re. Çka e dallon këtë koalicion nga dy partitë tjera opozitare?
Sherifi: Nuk mendoj se është e rëndësishme se çka e dallon nga partitë opozitare sa është e rëndësishme të tregohet se sa e dallon nga qeveria e tashmë! Sepse, siç thash më lartë kemi të bëjmë me një parti që dallimin në mes të premtimeve dhe realizimit të tyre e ka shumë të madh!
Nacionale: Është folur shumë për një bashkim të mundshëm të Nismës me PDK-në. Sa serioze ka qenë kjo iniciativë?
Sherifi: Fatmir Limaj ka pas ndjeshmëri të madhe që nga momenti që udhëheqësit e PDK-së, Veseli e Thaçi kanë shkuar në Hagë. Vazhdimisht ka bërë përpjekje për t’u afruar pa kushte. Bisedimet e vitit 2021 dështuan. Megjithëse që u vendosëm në një pozitë të tillë nga drejtuesit e atëhershëm të PDK-së, ku pesë minuta para se të përfundojë afati, na thanë nuk mundemi. Përkundër kësaj, Limaj për shkak të bazës së PDK-së, ka pasur kontakt të vazhdueshëm me disa nga drejtuesit e PDK-së, ka qenë i hapur. Ka një vit, ka pasur takime e biseda, fatkeqësisht ata kanë ardhur në përfundim që të ecin vetëm! Baza e PDK-së vazhdimisht thoshte që Limaj i nevojitet Kuvendit. Ka marrë mesazhe që të afrohet me PDK-në. Fatkeqësisht, për arsye që ata i dinë, nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Nacionale: Si e keni parë rolin e opozitës gjatë këtij mandatit qeverisës. A kanë qenë në krye të detyrës partitë opozitare?
Sherifi: Ata më së miri e dinë që është dashur të bëhet më shumë. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë. Mirëpo tash nuk është më koha që partitë opozitare të merren me njëra tjetrën, por që përqendrimi të jetë përmes kritikës konstruktive të demaskohen politikat e gabuara të qeverisë!