Intervistë | Shasha: Në Samit s’do të ketë vendim për liberalizimin e vizave - NACIONALE

Intervistë | Shasha: Në Samit s’do të ketë vendim për liberalizimin e vizave

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, ka bërë me dije se në Samitin e sotëm të BE-së nuk do të ketë asnjë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai ka treguar se maksimumi që mund të ketë në këtë takim është shprehja e vullnetit politik për këtë proces.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Shasha ka vlerësuar se shprehja e vullnetit politik do të vendoste në lëvizje një numër të hapave ligjor në këtë proces.

Nacionale:

Z. Shasha, në mbledhjen e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së nuk u diskutua çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pse mendoni se ndodhi kjo?

Shasha:

Nuk mund të dimë me siguri a është diskutuar a jo. E vetmja informatë publike që kemi është ajo që ka dalur nga konferenca për shtyp e z. Clement Beaune, Ministrit Francez për Evropë dhe z. Maroš Šefčovič, Zëvendes Presidentit të Komisionit Evropian. Ata nuk kanë përmendur që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është diskutuar gjatë takimit. Tani kjo mund të nënkuptoj dy gjëra: (1) Liberalizimi i vizave nuk është diskutuar, pasi që ka pasur tema të tjera më të rëndësishme; (2) Liberalizimi i vizave është diskutuar, por z. Beaune dhe z. Šefčovič kanë arsye që të mbajnë këtë diskutim nën radarin publik deri në takimin e liderëve të shtetit.

Nacionale:

Cilat janë gjasat që kjo çështje të diskutohet në samitin e liderëve të BE-së?

Shasha:

Unë besoj se do të diskutohet, por pikëpyetje më e rëndësishme është nëse ky diskutim do të përkthehet në shprehjen e vullnetit të qartë dhe konsensual të liderëve të BE-së për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave. Këtu jam më skeptik.

Nacionale:

Sa mund të ndikojnë rrethanat e jashtme që në këtë samit të merret vendimi i shumëpritur për qytetarët e Kosovës?

Shasha:

Patjetër se ndikojnë. Me theks të veçantë lufta në Ukrainë kanë zgjuar nga gjumi BE-në dhe nevojën për solidifikimin e prezencës së saj në Ballkanin Perëndimor, duke ia mohuar kështu hapësirën për veprim Rusisë, por edhe Kinës.

Nacionale:

Çka mund të presim nga ky samit?

Shasha:

Duhet bërë të qartë se në këtë samit nuk do të këtë asnjë vendim për liberalizimin e vizave. Maksimumi që mund të ketë është shprehja e vullnetit politik. Kjo shprehje e vullnetit politik pastaj do të vendoste në lëvizje një numër të hapave ligjor që janë para nesh për të siguruar liberalizimin e vizave.

Nacionale:

Nëse merret vendimi për liberalizim të vizave, kur do të mund të lëvizin kosovarët pa viza në BE?

Shasha:

Pra, në mënyrë që Kosova të përfitoj nga liberalizimi i vizave ligjërisht duhet ndryshuar Rregullorja 2018/1806 e BE-së e cila përcakton se cilat shtetet mund të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. Për të ndryshuar rregullorja ajo duhet kaluar nëpër një proces joformal negocimi (trialogu) në mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Pas përfundimit të procesit joformal, rregullorja duhet miratuar formalisht në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe mbledhjen e rregullt të Këshillit të Bashkimit Evropian. Historikisht shpejtësia më rekorde e konsumimit të kësaj procedure vendimmarrjeje ishte shtatë muaj në rastin e Gjeorgjisë. Pra, kjo është procedura e paevitueshme nëpër të cilën duhet të kaloj liberalizimi i vizave për Kosovën, ndërsa është realiste që procedura të merr nga gjashtë deri nëntë muaj nga momenti i shprehjes së vullnetit politik në nivelin e Këshillit Evropian.

Nacionale:

Në rast të ndonjë vendimi negativ, sa do ta ndikonte kjo në kredibilitetin e BE-së?

Shasha:

Besoj do të ndikoj, por jo në ndonjë shkallë të madhe. E them këtë pasi që qytetarët tani më e një kohë të gjatë janë zhgënjyer nga mungesa e liberalizimit të vizave, sa që është vështirë të zhgënjehen edhe me shumë. Edhe zhgënjimi ka limite.

Lajme të ngjashme