Intervistë pas interviste Hovenier përçon porositë e ‘goditjes reale’ të pozitës së Kosovës në Uashington, e fundit për gazin - NACIONALE

Intervistë pas interviste Hovenier përçon porositë e ‘goditjes reale’ të pozitës së Kosovës në Uashington, e fundit për gazin

1 minutë më parë

nga NACIONALE

Uashingtoni dhe favori i tij për shtetin e Kosovës është i mirënjohur.

Territori prej dhjetë mijë e disa kilometrash katrorë që rrumbullakëson Kosovën si shtet, o ka të prej në fillim bashkëhisedar në qenie të vet Shtetet e Bashkuara.

Çlirimi, pavarësimi, njohja botërore, mbi 100 e kusur njohje bilaterale, anëtarësimet ndërkombëtare, ushtria, garancat e sigurisë prej gati tri dekadash, të gjitha këto përfshinë pashkëputshëm Uashingtonin.

Prania ushtarake amerikane mbetet edhe parandaluesja më serioze ndaj çdo ambicjeje të Serbisë për inkursion, siç u pa në fund të shtatorit 2023.

Megjithatë, edhe pse siguria kombëtare mbetet e ndërlidhur me ShBA-në, pushteti i Vetëvendosjes prej gjashtë vitesh nuk ka mirëmbajtur marrëdhëniet e pritura me Uashingtonin.

Për mbi një vit e gjysmë pa ambasador amerikan, ish-ambasadori Jeffrey Hovenier ka dhënë gjashtë a shtatë paraqitje publike që nga fundi i dhjetorit 2024.

Paraqitja e fundit trajtoi çështjen e gazit, ku porosia e tij drejtuar Albin Kurtit ishte të përgjigjej pozitivisht ndaj administratës Trump për infrastrukturën e gazsjellësit dhe LNG-së amerikane.

Kjo vjen në kontekstin e shkëputjes së Dialogut Strategjik, të lidhur "krejtësisht me veprimet e Qeverisë së Albin Kurtit", ndërsa i njëjti proces veçse u hap me Serbinë.

Administrata Trump, sipas Hovenier-it, "nuk ka vëmendje të pafund". Muaj më parë ai kishte thënë se marrëdhëniet Kosovë–ShBA "kanë marrë goditje reale".

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 17 korrik 2026, Hovenier foli sërish për thirrjet drejt bashkimit të Kosovës në projektet amerikane të gazit.

Ai paralajmëroi se vendi mund të humbë edhe më tej besimin e Uashingtonit nëse Kosova dështon të veprojë.

"A do ta humbë Kosova besimin nëse dështon të veprojë?" u pyet ai. "Mendoj se po," u përgjigj Hovenier.

Ai vuri në dukje se i mbarë rajoni i ka thënë "Po" nismës amerikane, përveç Kosovës, gjë që "është vështirë të kuptohet".

"Të gjithë fqinjët e Kosovës tashmë janë pjesë e një mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara që përfshin LNG-në amerikane," tha Hovenier.

Ai shtoi se sinjalet politike nga Uashingtoni "janë gjithashtu shumë të qarta", megjithëse nuk ka ekspertizë të drejtpërdrejtë në fushën energjetike.

"Këshilla ime për të, po të isha ende atje, do të ishte: përfundoje procesin tënd të të menduarit dhe kthehu me ide," tha ai për Kurtin.

Hovenier shtoi se "vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme dhe ata po presin një përgjigje pozitive" nga Kosova.

Pas kësaj interviste, Departamenti i Shtetit foli sërish për shkëputjen e Dialogut Strategjik me Kosovën.

Ata thanë se mbeten të përkushtuar për nisjen e dialogut, por kjo varet nga plotësimi i kushteve të duhura.

"Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura," tha Departamenti, duke përmendur zotimet ndaj serbëve të Kosovës.

Një muaj më parë, në median serbe "Kosovo-Online", Hovenier kishte thënë se raportet Kosovë–ShBA "kanë marrë goditje reale".

Ai shtoi se "Qeveria e re duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të rindërtuar besimin".

Kur pati njoftuar pezullimin e Dialogut Strategjik, Departamenti amerikan i Shtetit i tha Nacionales se vendimi është "krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës".

Ai hodhi poshtë pretendimet se vendimi lidhet me Serbinë apo faktorë të jashtëm.

Sipas një zëdhënësi, shqetësimet iu janë shprehur drejtpërdrejt Kryeministrit Albin Kurti, dhe pozicioni amerikan është bërë "plotësisht i qartë".

Uashingtoni theksoi se mbetet partner i Kosovës, por pret shmangie të veprimeve destabilizuese dhe angazhim për stabilitet rajonal.

Deklarata erdhi pasi Kurti, gjatë një vizite në SHBA, tha se Dialogu ishte pezulluar sepse Kosova këmbëngulte në sundimin e ligjit dhe sovranitetin në veri.

Ai shtoi se Uashingtoni synonte të mbante Serbinë të orientuar larg Rusisë. "Sinqerisht kjo s'duhet të jetë problemi im," tha Kurti, duke shtuar se përfaqëson interesat e Kosovës.

Departamenti i Shtetit e kundërshtoi këtë interpretim, duke e lidhur pezullimin ekskluzivisht me veprimet e qeverisë në detyrë.

Lajme të ngjashme