Pesë raste të dhunës në familje në një ditë, në Deçan konfiskohet edhe një AK-47 - NACIONALE

Pesë raste të dhunës në familje në një ditë, në Deçan konfiskohet edhe një AK-47

2 orë më parë

nga NACIONALE

Në Kosovë vazhdon të ketë raste të shumta të dhunës në familje, sidomos dhunës së ushtruar nga burrat ndaj grave, si fizike ashtu edhe psikike.

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar vetëm gjatë ditës së martë. Prej tyre, në katër raste viktima kanë qenë gra, ndërsa në një rast viktimë ka qenë një burrë.

Nga këto raste, vetëm një person është arrestuar, ndërsa katër të tjerë janë liruar.

Në Prishtinë janë raportuar dy raste të dhunës në familje dhe në të dyja rastet ka pasur ushtrim të dhunës nga burrat ndaj grave.

Policia ka raportuar se në Prishtinë një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua.

Viktima në këtë rast ka pranuar trajtim mjekësor.

Prishtinë – “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, dërgohet në mbajtje”, ka raportuar Policia.

Një rast tjetër i dhunës është raportuar në Prishtinë, ku një burrë ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje shtetase të huaj.

Në këtë rast, burri është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Prishtinë – “Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër, shtetase e huaj. Palët janë intervistuar, më pas, me vendim të prokurorit, lirohen në procedurë të rregullt.”

Ndërsa në Gjilan, më datën 19, është raportuar për dhunë në familje, ku, siç ka thënë Policia, në përleshje janë përfshirë dy meshkuj kosovarë dhe një grua shtetase e huaj.

Gjilan – “Raportohet se janë përleshur fizikisht tre të dyshuar, dy meshkuj kosovarë dhe një femër shtetase e huaj. Si pasojë, të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore. Dy nga ta kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa një ka refuzuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, ka raportuar Policia.

Policia ka raportuar edhe një rast të dhunës fizike, ku një burrë ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Gjithashtu, te i dyshuari është konfiskuar një armë e llojit AK-47.

I dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.

Deçan – “I dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Në posedim të personit të dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një armë e llojit AK-47 dhe një karikator. Pas intervistimit, i dyshuari, me vendim të prokurorit, lirohet në procedurë të rregullt.”

Një rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Gjakovë, ku një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës mashkull kosovar./Nacionale

Lajme të ngjashme