Intervistë | Lekaj: Qytetarët fuqishëm po i bashkohen AAK-së, dallimi me zgjedhjet e fundit është i madh
Kandidati i AAK-së për deputet, Pal Lekaj, është shprehur optimist për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka bërë me dije se me dije se koalicioni AAK-Nisma po përkrahet fuqishëm nga qytetarët e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lekaj ka thënë se në terren ka ndryshim drastik nga zgjedhjet e vitit 2021.
“Ka një vullnet të paparë të qytetarëve që po i bashkohen Aleancës dhe po kanë mendim ndryshe, apo mendim pozitiv për AAK-në, krahasuar me katër vitet e mëparshme. Si përfundim, mund të them se fushata po rrjedh fuqishëm dhe unë i falënderoj gjithë qytetarët që po na përkrahin pa rezerva”, ka thënë ai.
Ai ka krahasuar fushatën aktuale me fushatën e para katërve viteve.
Lekaj ka theksuar se nuk e ka pritur këtë përkrahje të qytetarëve.
“Para katër viteve edhe ata që i kam pasur mbështetës të fuqishëm, ndoshta kanë hezituar me u taku me mua dhe unë disa kam shikuar me habi se çka po ndodh. Por, tani kam shumë telefonata për takime, për mbështetje dhe qytetarët me nuk po hezitojnë me thanë: po, kemi votuar Vetëvendosjen në zgjedhjet e fundit, por tan jemi me ju”, ka thënë Lekaj.
Ndër të tjera, Lekaj ka bërë me dije se qytetarët janë zhgënjyer nga Qeveria Kurti.
Sipas tij, tani nuk duhet shumë energji për t`i bindur qytetarët.
“Atë që qytetari e ka përjetuar për katër vite është se ai nuk ka përjetuar të mira nga Qeveria Kurti. Dhe mund të them lirshëm se nuk po duhet shumë me hargju energji për me i bind qytetarët për me votu për neve. Kryefjala e programit tonë është anëtarësimi në NATO”, ka thënë Lekaj, duke përmendur edhe prioritet e AAK-së në fushat tjera.
Në këtë internistë, Lekaj ka folur edhe për rastin e 53 milionëshit.
Ai ka thënë se është plotësisht i pafajshëm, duke shtuar se vendimi i shkallës së parë për këtë rast ka qenë i pa drejt.
Lekaj ka treguar se për disa vite i janë hetuar të gjitha xhirollogaritë.
“Për qytetarët po them, se nuk ka xhirollogari që nuk mu ka hetuar për dy vite rresht. Qytetarët duhet me dite që aty nuk jam i akuzuar për korrupsion, por për procedura. Në këtë drejtim, ju them qytetarëve se çdo procedurë është ndjekur ashtu siç duhet”, është shprehur ai.
Më pas, Lekaj ka treguar historinë e njohjes me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se me Thaçin është njohur edhe para luftës, kurse me Haradinajn është njohur në vitet e para të luftës.
Kandidati i AAK-së për deputet ka bërë me dije se ka qenë mjek i luftës dhe asnjëherë nuk e ka lëshuar Kosovën.
“Me Thaçin, se pari, me ka lidhur lufta, sepse unë kam qenë mjek në luftë. Nuk jam largu prej Kosovës asnjëherë. Çdo herë kam qenë aty ku është dashur, ani pse asnjëherë nuk kam folur”, ka thënë Lekaj.