Intervistë | Kryeziu: Me pranimin e planit franko-gjerman, Kurti zgjodhi qëndrimin në pushtet
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti ka sakrifikuar qëndrimet e tij politike rreth dialogut me Serbinë për pushtet. Ai ka vlerësuar se shefi i qeverisë pranimin e planit të BE-së për këtë proces e ka bërë për të qëndruar ende në pushtet.
Drejtori i Institut Demokratik të Kosovës(KDI), Ismet Kryeziu, besoni se kryeministri Albin Kurti nuk kishte shumë zgjidhje përballë planit franko-gjerman për dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se me pranimin e këtij plani, Kurti zgjodhi qëndrimin në pushtet.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Kryeziu ka vlerësuar se Kurti në këtë mënyrë ka sakrifikuar qëndrimet e tij politike për dialogun Kosovë-Serbia.
Ai ka ftuar Kosovën të këtë kujdes në këtë fazë të dialogut me Serbinë.
Shefi i KDI-së ka treguar se ndër pikat më të diskutueshme tani do të jetë afati kohor për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sa i përket kushteve të Kurtit për formimin e Asociacionit, Kryeziu ka thënë se ato janë të konsumuara, duke shtuar se shumica nga to janë zotime dhe të partnerëve ndërkombëtar.
Nacionale: Z. Kryeziu, ju keni qenë pjesë e takimit jo formal që të premten ambasadori Hovenier e ka organizuar me partitë politike dhe shoqërinë civile. Brenda asaj që mund të tregoni, çka është diskutuar në këtë takim?
Kryeziu: Ishte një takim i karakterit jo formal, i lirë, pa ndonjë temë ose format diskutimi për ndonjë temë. Një takim dhe mikpritje në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen në takimin paraprak.
Nacionale: Si e keni parë këtë përpjekjen e shtuar amerikane për ta bindur Kosovën për të themeluar Asociacioni?
Kryeziu: Paqja e brishtë në Ballkan, e sidomos marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë s’kishin si t`i iknin një ndikimi ose impakti nga zhvillimet që po ndodhin në politikën globale. Pra, ndodhi ajo që dhe pritej, instrumentalizimi politik dhe provokimi i situatave të nxitura nga politika e Vuçiqit dhe veprimet e qeverisë Kurti pa një objektiv afatgjatë dhe të mirë menduar, kanë formësuar idenë dhe nevojën për një angazhim më përmbajtjesor dhe më dinamik të partnerëve ndërkombëtar përfshi dhe palën amerikane.
Pra, këto zhvillime dhe veprime kanë krijuar një situatë të re në veri të Kosovës dhe kjo ka nxitur një vëmendje dhe angazhim të shtuar të BE-se dhe SHBA-së për një strategji tejkaluese, përmes disa veprimeve dhe përgjegjësive në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sidomos asaj për Asociacionin dhe plani franko-gjerman si veprim i ndërmjetëm drejtë normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Nacionale: Se fundi, kemi parë një ndryshim të kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut. Ai tashmë ka deklaruar se e ka pranuar planin franko-gjerman. Cili është vlerësimi i juaj për këtë ndryshim?
Kryeziu: Për një dekadë Kurti ka arritur të ndërtoj vetën dhe idetë politike të tija si pikë referimi e besimi tek një pjesë e madhe e qytetarëve për rezistencën ndaj dialogut dhe marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Si kryeministër duke ndjekur premtimet e tija ai ka krijuar në një masë të madhe kundërshtar dhe në momente të caktuara ka rrezikuar seriozisht partneritetin dhe aleancat e Republikës së Kosovës.
Ndryshimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm mes një politikani opozitar dhe një kryeministri, epërsinë politike që ai e kishte ndërtuar gjatë opozitës mbi kundërshtarët politik, tani përmes disa veprimeve po tenton ta bëjë më të pranueshëm dhe të mos dukët si humbës përballë elektoratit.
Me pranimin e planit franko-gjerman, Kurti mes qëndrimeve të tija politike dhe të qëndruarit në pushtet, ka zgjedhur këtë të dytën.
Nacionale: Pranimi i këtij plani u bë pa e prezantuar zyrtarisht. A do të duhej që plani të publikohej fillimisht?
Kryeziu: Edhe pse në praktikat e negocimeve të këtij niveli shpeshherë këto marrëveshje janë të mbyllura për publikun, qeveria Kurti do duhej të tregohej shumë më transparente, bashkëpunuese dhe llogaridhënëse. Kurti dhe Presidentja e vendit do duhej shumë më shumë të ishin të përgjegjshëm, kreativ dhe koperues me partitë opozitare, mediat, shoqërinë civile dhe publikun. E jo të ndodhë e kundërta, ajo që po ndodhë.
Kurti dhe Presidentja po duket se jo vetëm në dialog me Serbinë, por dhe në dialogun e brendshëm shoqëror kanë zgjedhur të kenë ndërmjetësues, mediat dhe partnerët ndërkombëtar. Të gjithë këta aktorë janë të informuar dhe të përfshirë në proces nga partneret ndërkombëtar e jo nga institucionet e Republikës së Kosovës. Nuk ka as kryeministër e as president më patriot e as më të dijshëm se sa një komb, dhe është e papërgjegjshme një sjellje e tillë për çështjet që mund të prekin interesat dhe substancën e republikës.
Nacionale: Siç e dimë plani nuk e përmban njohën reciproke. A mund të ndryshohet ky plan?
Kryeziu: Tani në princip ky plan është pranuar nga dy palët e përfshira në dialog dhe nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim substancial. Por besoj se plani franko-gjerman e sh’tensionon situatën e krijuar mes dy shteteve, lehtëson dhe krijon një mundësi të re drejtë një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Nacionale: Gjithashtu, kryeministri Kurti ka pranuar formimin e Asociacionit me disa kushte. A ju ka befasuar kjo?
Kryeziu: Më shumë kam qenë i befasuar nga përmbajtja e kushteve të cilat më duket se tani janë të konsumuara dhe shumica nga to janë zotime dhe të partnerëve ndërkombëtar, se sa nga marrja e përgjegjësisë për themelimin e Asociacionit.
Nacionale: Si i keni parë gjashtë kushtet e Kurtit. A besoni se mund të pranohen këto kushte nga ndërmjetësit?
Kryeziu: Formatet e bisedimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjet nuk i njohin kushtet. Më shumë i kisha quajtur si principe ose parime para themelimit të asociacionit se sa si kushte. Besoj se ndër pikat më të diskutueshme do të jetë afati kohor për themelimin e Asociacionit para apo me marrëveshjen e planit franko-gjerman. Edhe pse vendosja e këtyre kushteve duket se i ka dhënë pak më shumë kohë kryeministrit Kurti dhe e ka nxjerrë Kosovën nga pozita defensive, besoj se Republika e Kosovës nuk duhet që për një çështje jo shumë substanciale siç po duket të jetë afati kohor për themelimin e asociacionit, të rrezikojë humbjen e mundësisë për të arritur marrëveshjen për planin franko-gjerman.
Nëse SHBA dhe BE janë garantuese se gjatë vitit do të arrihet marrëveshja për planin franko-gjerman, pas procedurave për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, besoj se kjo do të ishte e mjaftueshme qe ne mos të bllokojmë procesin për shkak të afatit kohor, por të angazhohemi tek përmbajtja e Asociacionit.
Nacionale: Të hënën është paralajmëruar një seancë parlamentare ku do të diskutohet për procesin e dialogut me Serbinë. Qeveria ka shprehur dëshirën që kjo seancë të jetë e mbyllur. Do të duhej të pranonte opozita një seancë të tillë?
Kryeziu: Seanca parlamentare e paralajmëruar për të hënën, e iniciuar nga partitë opozitare është një përpjekje serioze për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse dhe për të ofruar kapacitetet e tyre në formësimin e qëndrimeve sa më konsensuale të palës kosovare. Jo, opozita nuk duhet të pranoj një raportim të mbyllur për publikun, sepse do të arrijë efekte të kundërta dhe do vazhdojë të kontribuojë dhe më tutje hapësirës për dezinformim, pasiguri dhe ulje të besimit të publikut.


