Intervistë | Humolli: Kurti qeveritar s`ka të bëjë asgjë me Kurtin opozitar, po i zbaton rezultatet e Thaçit - NACIONALE

Intervistë | Humolli: Kurti qeveritar s`ka të bëjë asgjë me Kurtin opozitar, po i zbaton rezultatet e Thaçit

6 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për ndryshim të qëndrimeve në raport me Asociacionin dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me dialogun.

Ai ka thënë se Albin Kurti opozitar nuk ka asgjë të përbashkët me Albin Kurtin kryeministër.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, e cila së shpejti do të publikohet e plotë na kanalin e gazetës në “YouTube”, ish-deputeti i VV-së ka vlerësuar se Kurti i ka harruar pretimet e fushatës elektorale.

Albin Kurti vetëm fizikisht është Albin Kurti. Vetëm me letërnjoftim është Albin Kurti. Por, me pikëpamje nuk ka të bëj asgjë me fushatën elektorale. Nuk ka asgjë të përbashkët”, ka thënë ai.

Humolli ka vlerësuar se me qeverisjen e tij, Kurti po tregon se Kosova nuk ka mundësi të nxjerr qeveritar më të mirë se Hashim Thaçin.

Është krijuar një përshtypje se Kosova nuk ka mundësi me nxjerr qeveritar më të mirë se Hashim Thaçin. Albin Kurti dhe qeveria krejt veprimet që i ka bërë i ka bërë me thanë se Kosova nuk ka mundësi me nxjerr një Qeveria më të mirë se ajo e Hashim Thaçit. Sepse krejt rezultatet e Hashim Thaçit ky ose po i pengon ose po i zbaton”, ka thënë Humolli, duke shtuar se Qeveria Kurti nuk po dallon nga qeveritë tjera.

Veprimet që qeveritë e kaluara i kanë bërë me punëtorët e arsimit, veteranët e luftës, policët që i kanë kthyer këto kategori në jetë normale. Ky tash po i godet këto. Në vend se këtyre kategorive me ju ofru më shumë, sepse e ka buxhetin shumë më të madh se qeveritë e kaluar, ky i godet ato. Ky tash po e bën Asociacionin që e ka krijua Hashimi. Tash krijohet përshtypja se populli i jonë nuk mundet me nxjerr kuadro më të mira e qeveritarë më të mirë”, është shprehur ai.

Asociacioni, jokushtetues

Deputeti Humolli e ka kritikuar kryeministrin Kurti edhe për fshehjen nga opinioni të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se një veprim i tillë është i padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në rend të parë është një fshehje prej qytetarëve tanë. Nëse është i drejtë për qytetarët tanë, atëherë është jo korrekte me e fsheh, por edhe nëse është i padrejtë ndaj qytetarëve tanë prapë është jo korrekte me e fsheh. Është përbuzje e qytetarëve tanë, është për elektoratin që mbi 50 për qind i kanë besuar një subjekti politik dhe është formuar një qeveri prej kësaj shumice dhe ky tash ua kthen bumerang atë besim qytetarëve, duke ju thënë se ju nuk jeni me vlerë”, ka theksuar Humolli.

Ndonëse nuk e ka parë draftin, ai ka thënë se dokumenti në fjalë nuk mund të jetë në harmoni me Kushtetutën.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij, se megjithatë Gjykata Kushtetuese do ta akomodojë.

Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese i ka kontestuar shumë elemente të marrëveshjes që ka qenë ndesh me Kushtetutën, për shkak të paralelizmit. Domethënë Kushtetuta e Kosovës deri në atë periudhë nuk ka pasur institucione paralele. Kurse, Kuvendi i Kosovës më vonë e ka bë Gjykatën Speciale që është institucion komplet paralel me institucionet tona. Sot kur te shkon çfarëdo statuti për Asociacionin, Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi me e hedh poshtë, sepse kuvendi ka ndërtuar një institucion paralel dhe mundësi shumë reale është që ka me ndertu një institucion paralel dhe Gjykata Kushtetuese ka me e pranu”, ka thënë Humolli.

Sa i përket nënshkrimit të ujdisë për Asociacionin, të cilin po e kërkon Kurti, ai ka thënë se Serbia edhe më herët nuk i ka nënshkruar marrëveshjet me Kosovën.

Prej Rambujesë, Serbia nuk ka nënshkruar marrëveshjet me Kosovën. Për herë të parë ka nënshkruar me e dergu marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka nënshkrime tjera. Ajo do që na me i marrë obligimet dhe me i kry obligimet që ua premtojmë ndërkombëtare dhe Serbia me vazhdu me kërkesat të reja. Në serbi nuk ka institucione naive qysh kemi na. Ata kanë traditë shtetëror, ne bëjmë gara në mes veti, sikurse në seancën e fundit, ku u bë garë kush me e zbatu Zajednicën. Pra garë mes shumicës dhe opozitës për me ba Zajednicën”, është shprehur deputeti i pavarur.

Përleshja fizike në Kuvend, skenar i VV-së

Ish-deputeti i VV-së ka treguar se përleshja fizike që ka ndodhur në seancën e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës ka qenë një skenar i përgatitur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka deklaruar se kjo është vërejtur qysh në fillim të seancës.

Sipas tij, në atë seancë ka qenë i dyfishuar edhe numri i punëtorëve të sigurimit të Kuvendit.

Vazhdimisht janë punëtorët e sigurimit që na kontrollojnë kur hyjmë në seancë. Atë ditë ka qenë sigurimi i dyfishtë. Atëherë, ku e ditën sigurimi që ka me pasë kësi konflikti dhe me se thanë se ka diçka jonormale”, ka treguar Humolli.

Ai ka thënë se pre e këtij skenari ka rënë PDK-ja.

U interesova unë të hyrja, dhe me thanë se nuk e dimë çka është, por është diçka jonormale. Konflikti që ka ndodhur është një skenar i organizuar që ka ra pre ose me qëllim PDK-ja, nuk e di”, është shprehur ai.

Sipas tij, mënyra se si kanë shkuar atë ditë ngjarjet në Kuvend e kanë bindur atë se ka qenë skenar i VV-së.

Ai ka bërë me dije se kjo ishte bërë më qëllim që të largohet vëmendja nga biseda telefonike e Mimoza Kusari-Lilës me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Mënyra zinxhirore qysh ka shkuar gjithçka atë ditë, për mendimin tim ka qenë një skenar i përgatitur për me u diskutuar tash para qytetarëve për problemin që u krijuar në Kuvend e jo me u diskutu për bisedimet që kanë qenë me Radoiçiqin” është shprehur Humolli.

Lajme të ngjashme