Intervistë| Bytyçi: Pas Vuçiqit, Rama e ka vëlla Erdoganin, e mbylli kolegjin për të forcuar miqësinë me të - NACIONALE

Intervistë| Bytyçi: Pas Vuçiqit, Rama e ka vëlla Erdoganin, e mbylli kolegjin për të forcuar miqësinë me të

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Mbyllja e kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy”, i cili operonte në Shqipëri për gati 30 vite ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Vendimi për mbylljen e shkollës para universitare, i marrë nga Këshilli i Ministrave përveç dyshimeve mbi ligjshmërinë, ka ngritur edhe pikëpyetje për atë se mund të ketë edhe prapavijë politike.

Për të na shpjeguar në detaje, si dhe pse erdhi deri te mbyllja e një shkolle, që për shume vite ka rezultuar ndër shkollat më të mira në vend, Nacionale ka intervistuar profesorin dhe analistin nga Shqipëria, Enver Bytyçi.

I pyetur mbi vendimin për mbylljen e shkollës, Bytyçi thotë se ky është një vendim i imponuar ndaj qeverisë, pasi kolegji ka zbatuar të gjitha kriteret pedagogjike e mësimore.

"Sot qeveria shqiptare shpalli vendimin për mbylljen e Kolegjit turk Mehmet Akif Ersoy“ në Tiranë. Ky vendim vjen pasi mësimi në arsimin parauniversitar ka filluar, gjë që do të thotë se vendimi prek dhe dëmton interesat e mësuesve dhe nxënësve, të cilët tashmë janë në klasat e këtij gjimnazi. Mbyllja e shkollës pasi ka filluar mësimi krijon çoroditje dhe amulli. Nxënësve do t’u duhet të kërkojnë shkolla të tjera alternative. Po ashtu mësuesit. Prandaj e konsideroj këtë një vendim të imponuar.

Vendimi për mbylljen e kësaj shkolle thuhet se bazohet në ligj, ku thuhet se shkollat jo publike mund të mbyllen nëse nuk zbatojnë ligjin në veprimtarinë e tyre. Por askush nuk thotë se cili ligj është shkelur nga kjo shkollë. Përkundrazi gjimnazi “Mehmet Akif” i Tiranës është hapur në vitin 1993, para gati 30 vitesh. Gjatë kësaj periudhe kolegji në fjalë është klasifikuar si një ndër dhjetë gjimnazet më të mirë në Shqipëri. Nxënësit e këtij kolegji kanë fituar medaljet më të shumta se thuajse të gjitha shkollat tjera në olimpiadat ndërkombëtare, si në matematikë, fizikë, kimi, e lëndë të tjera! Kjo do të thotë se ky gjimnaz ka zbatuar të gjitha kriteret pedagogjike e mësimore!

Ndërkaq godina e shkollës është marrë me qera prej Bashkisë së Tiranës nga ana e shoqatës “Vakëf” të Fethullah Gylen për 99 vjet. Ajo godinë do duhej sipas kontratës të përdorej edhe 59 vite. Mbyllja e shkollës ka bërë që të sekuestrohet edhe godina. Madje për arsye të përdorimit si truall për ndërtimin e kullave të larta, ku dihet tashmë se pastrohen paratë e korrupsionit qeveritar dhe të krimit të organizuar," është shprehur Bytyçi.

"Vendim i imponuar nga Erdogan"

Duke qenë se në kolegjin "Mehmet Akif" në Tiranë, përveç mësimdhënësve të huaj, ka pasur edhe mësimdhënës shqiptarë, profesor Bytyçi ka sqaruar edhe ndikimin e këtij vendimi te mësuesit dhe nxënësit. Ai ka thënë se të dy palët duhet t'i drejtohen menjëherë gjykatës e nëse është e nevojshme ky problem të çohet deri në Strasburg.

"Për arsyet që thashë më lart mendoj se vendimi i marrë ka prapavijë politike. Shkurt është imponuar nga presidenti i Turqisë Recep Tayyp Erdogan. Presidenti Erdogan prej kohësh ka bërë presion mbi qeverinë shqiptare për mbylljen e shkollave të “Fetos”! Ky presion e ka detyruar kryeministrin e Shqipërisë që të ndërmarrë këtë hap anti-ligjor. Ashtu siç edhe ekstradoi një gazetar turk pa proces gjyqësor drejt Turqisë, pavarësisht se atij i kërcënohet jeta në vendin e tij.

Është një situatë shumë problematike. Ne kemi një qeveri të kapur peng në Beograd, në Ankara e në vende të tjera. Ndërkohë që mbyllja e kësaj shkolle bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me interesat e aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Nxënësit e mësuesit do të duhet t’i drejtohen menjëherë gjykatës. Ta ndjekin problemin në të gjitha hallkat gjyqësore deri në Strasburg për të kërkuar dëmshpërblim nga qeveria shqiptare për shqetësimin që ajo u ka krijuar dhe persekutimin që përjetojnë me këtë rast.

Edhe kolegji do të duhet të ankohet në gjykata si dhe në arbitrazhin ndërkombëtar. Sepse përveçse shkollë edukimi e mësimi, ai është edhe biznes!"

Bytyçi na foli për një qeveri të kapur peng nga Beogradi dhe Ankaraja, ndërsa më tutje ai shpjegon se çfarë tregon në fakt mbyllja e kësaj shkolle - vendim që e cilëson si dhuratë nga Rama për Erdoganin - për marrëdhëniet e kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin turk, Recep Tayyp Erdogan.

"Dihen tashmë lidhjet e kryeministrit Rama me presidentin Erdogan. Pas Aleksandër Vuçiq, miku më i mirë dhe vëllai më i madh i Edi Ramës është Erdogan. Mbyllja e kolegjit bëhet në funksion të forcimit të miqësisë dhe vëllazërisë Rama-Erdogan. Ndoshta me mbylljen e kolegjit presidenti turk do të vijë në Shqipëri. Por mbasi Rama të ketë larguar nga kreu i Komitetit Mysliman Shqiptar zotin Bujar Spahiu. Sepse interesi i Ramës është që në prag të zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm ta sjellë Erdoganin në Tiranë për të përuruar xhaminë e madhe të Namazgjasë në Tiranë. Ta shesë këtë si dhuratë të tijën e jo të Zotit! Me qëllim që besimtarët myslimanë të votojnë kandidatët e Ramës për kryetarë të bashkive të vendit," thotë Bytyçi.

Ndikimi i Erdogan në Ballkan

Duke e ditur që presidenti turk ka kërkuar për një kohë të gjatë mbylljen e veprimtarive të Gylenit, në të gjitha vendet ku ai ka vepruar, profesor Bytyçin e pyetëm nëse kjo mund të jetë një nismë e një ndikimi të mundshëm të politikave të Erdoganit në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit.

"Të jem i sinqertë, nuk shoh një mundësi të tillë, që Turqia të kërcënojë me praninë e saj në Shqipëri, Kosovë e në Ballkan. Shoh që politika e Ankarasë është e orientuar prej shumë kohësh në rajone të tjera, sidomos të Euro-Azisë. Edhe ndonjë çokë (dhuratë) që Erdogan ia bën Ramës dhe Vuçiq e shoh thjesht si një marrëdhënie personale. Nuk e dimë se çfarë ndodh në këto marrëdhënie! Ndoshta koha do të na bëjë me dije. Ndoshta pastrohen para. Ndoshta ka afera të tjera. Fakt është se udhëheqësit autoritarë ballkanas janë të korruptuar, kanë vënë shumë pasuri e para dhe mundet që të kenë rënë në qarkun e pastrimit të tyre! Pra, ka mundësi të jenë marrë peng.

Megjithatë, besoj se në të ardhmen Turqia dhe politika e saj mund të adresohet edhe në Ballkan, njësoj si në Kaukaz. Por Kaukazi, marrëdhëniet me Moskën dhe Pekinin, ose me vendet arabe e të golfit janë fokusi kryesor i sotëm i politikës së jashtme të Erdogan", u shpreh Bytyçi.

Kolegji "Mehmet Akif" përveç në Tiranë ndodhet edhe në Kosovë, ndërsa shkolla të tjera po të fondacionit Gulistan, të Fethullah Gylen, ndodhen në Maqedoni - e pas mbylljes së papritur në Shqipëri, Bytyçi thotë se aksioni Rama-Erdogan do të vazhdojë të spastrojë të gjitha veprimtaritë e lidhura me Gylenin.

"Jo vetëm në Kosovë e Maqedoni. Së pari unë besoj se aksioni Rama-Erdogan do të vazhdojë të spastrojë të gjitha shkollat dhe veprimtaritë e tjera të „Hyzmetit“ ose „Vakëfit“ të Fethullah Gylen. Rama i është bashkuar një fushate jashtë-shqiptare, të gjuetisë së shtrigave në grup kundër asaj që quhet Organizata e FETO-s. As diktaturat, kur ato përpiqen të respektojnë pronën private, nuk shkojnë te përndjekja kolektive, pse disa ushtarakë të lidhur kryejnë një akt anti-ligjor e anti-kushtetues. Edi Rama i është bashkuar këtij aksioni", tha ai.

Megjithatë, duke mos përjashtur mundësinë e mbylljes së kolegjit edhe në Kosovë, referuar lidershipit të sotëm në Kosovë, Bytyçi thotë se një gjë e tillë për momentin ka pak gjasa të ndodhë. Ai gjithashtu thotë se Turqia do të marrë pjesë në Open Balkan në mënyrë që të shtojë presionin e saj për akte të tilla anti-kushtetuese.

"Mendoj se ka pak gjasa. Po të ishte Thaçi, do të kishte ndodhur me kohë. Por në kushtet e lidershipit të sotëm, nuk besoj se ndërmerren akte të tilla anti-ligjore dhe jo parimore. Ndërsa Maqedonia është anëtare e Open Balkan. Jo më kot është thirr Turqia në këtë nismë serbe. Për të shtuar presionin në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi për të tilla akte anti-kushtetuese dhe në shkelje të të drejtave të njeriut! Turqia do të marrë pjesë në Open Balkan për ta shfrytëzuar prezencën e saj për këto qëllime. Ndërsa Ramës e Vuçiq u duhet Turqia për të shtuar presionin sidomos ndaj Bosnjë-Hercegovinës e Kosovës, që ato të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur", përfundoi Bytyçi për Nacionale.

Lajme të ngjashme