Intervistë| Ambasadori evropian: Si për KiE si për BE, Asociacioni çështje e rëndësishme e sundimit të ligjit - NACIONALE

Intervistë| Ambasadori evropian: Si për KiE si për BE, Asociacioni çështje e rëndësishme e sundimit të ligjit

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e sheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nevojshëm, si për dialogun, ashtu edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Xhezair Dashi, ai flet për çështjet më të rëndësishme gjatë mandatit të tij, masat, veprimet e Qeverisë Kurti e shumë të tjera?

Ambasadori i foli Nacionales mbi deklaratat e kryeministrit Albin Kurti që Kosova dhe Serbia nuk trajtohen në mënyrë të barabartë në dialogun me Serbinë.

Ai ka folur edhe për masat ndëshkuese të vendosura para gati një viti, dhe se sa është e mundshme qe të njëjtat të largohen së shpejti.

Temë e intervistës, ishin edhe zhvillimet e fundit dhe kushtëzimi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Suksesin më të madh ndërkohë gjatë këtij mandati, Szunyog e konsideron liberalizimin e vizave.

Intervistë e plotë:

1.Kryeministri i Kosovës disa muaj më parë tha se BE-ja (por edhe SHBA) “e trajtojnë Kosovën vetëm nominalisht të barabartë me Serbinë, por jo në thelb”. Ju, si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë gjatë këtyre viteve, a mund të thoni ndryshe?

Dua të theksoj se BE-ja është një ndërmjetësues i paanshëm në procesin e dialogut, që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithmonë i ka trajtuar në mënyrë të barabartë. BE-ja pret nga të dyja, Kosova dhe Serbia që të implementojnë Marrëveshjen në Rrugën drejt Normalizimit, Aneksin e Impementimit dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut pa vonesa apo parakushte. Ne vazhdojmë që të qëndrojmë gati për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por janë ato që duhet t’i marrin këta hapa dhe të ecin para.

Kjo përputhet me vizionin tonë për këtë rajon, i icli është shumë i qartë: të gjithë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë evropiane. Kjo padyshim përfshin Kosovën, dhe bashkëpunimi ynë politik dhe ndihma financiare ilustrojnë këtë përkushtim. Unë e kuptoj që procesi i integrimit është i gjatë dhe kompleks; kërkon përkushtim dhe punë të palodhur nga ata që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE-së.

Përderisa Kosova ka mbetur e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, duhet bërë më shumë punë dhe ritmi i reformave duhet të përshpejtohet. Kosova duhet të bëjë progres të prekshëm dhe të pakthyeshëm, duke filluar nga bazat: sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve demokratike.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës vazhdojnë tashmë gati për një vit. Ne kemi lexuar se cilat janë kushtet për largimin e ttyre, por autoritetet e Kosovës vazhdojnë të thonë se kanë arritur deeskalimin, ashtu siç është kërkuar. Si e shihni këtë?

BE-ja ka bërë kërkesa specifike ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 dhe ato i janë komunikuar në mënyrë të qartë dhe të përsëritshme palës së Kosovës.

A jeni optimist se masat mund të largohen së shpejti?

Në shtator 2023, të gjitha shtetet anëtare të BE-së potencuan se BE-ja qëndron gati për t’i larguar masat, nëse ka progres në përmbushjen e kërkesave që ekzistojnë. Në konkluzat e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli potencoi që do t’i diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti nga Përfaqësuesi i Lartë në përmbushjen e kërkesave të BE-së. Ky raport do t’i prezantohet Këshillit shpejt.

Unë shpresoj që do të jemi në gjendje ta fokusojmë vëmendjen tonë në reformat që janë kritike për ta afruar Kosovën te BE-ja dhe janë në interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është akuzuar që po vepron pa koordinim me ambasadorët e QUINT-it, KFOR-in, EULEX-in, por po ashtu edhe pa ndonjë konsultim me komunitetin serb, të cilët janë ekspozuar në pasojat e disa prej vendimeve që janë marrë pa i informuar paraprakisht. Shumë herë edhe eurodeputetët që ishin përkrahës të kësaj qeverie është dashur t'u kujtojnë Kushtetutën e Kosovës dhe Planin e Ahtisaarit të Kosovës si shtet multietnik dhe se si i tillë është njohur në mbarë botën. A mund të thoni se ka pasur ndonjë devijim serioz në atë themel që ishte e nevojshme të theksohej shpesh?

Përderisa nuk do të përdorja frazën “devijim serioz”, do të thoja që dsa prej vendimeve të marra nga autoritetet e Kosovës, nuk kanë konsideruar në mënyrë adekuate pasojat për të gjitha komunitetet që mund të ndikohen, duke rrezikuar kështu komplikime të rëndësishme në jetën e tyre. Shembull për këtë ishte edhe Rregullorja për Operimet me Cash nga Banka Qendrore e Kosovës. Apo, siç është thënë në një komunikatë së fundi nga QUINT-i dhe BE-ja, vendimi i Qeverisë së Kosovës për mos ta lejuar partriarkun Porfirije nga Kisha Ortodokse Serbe dhe peshkopët që po e shoqëronin të hynë në Kosovë, është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit dhe në kundërshtim me detyrimet e Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Duke marrë paraysh synimin e Kosovës për ta avancuar rrugën e saj drejt BE-së, ne presim që karakteri multietnik i Kosovës të reflektohet në të gjitha vendimet e saj dhe që komunitetet e prekura të konsultohen në kohën e duhur për të gjitha vendimet që ndikojnë në jetën e tyre. Bërja e një vlerësimi të duhur të ndikimit dhe sigurimi i kohës së mjaftueshme për konsultime janë gjithashtu shenja të rëndësishme të qeverisjes së mirë.

Franca, Gjermania dhe Italia e kushtëzuan votimin final për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës me draft statutin e Asociacionit dhe që ai të dërgohet për shqyrtim në Kushtetuese. Kryeministri e quajti një kërkesë “absurd” dhe e refuzoi. Ai tha se “Strasburgu nuk është Bruksel”. Derisa Kosova është pajtuar që e gjithë rruga e saj drejt BE-së është e ndërlidhur me dialogun e Brukselit, a nuk e bën kjo prakitikisht Strasburgun, Bruksel për Kosovën?

U takon vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të vendosin në çështjet e lidhura me këtë organizatë, duke përfshirë edhe anëtarësimin.

Sidoqoftë, të dyja, BE dhe Këshilli i Evropës, janë organizata të bazuara në respektin për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave për të gjthë qytetarët që u përkasin minoriteteve kombëtare.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një obligim i kahmotshëm i papërmbushur i Kosovës, një obligim i qartë ligjor për Kosovën, dhe kështu një çështje e sundimit të ligjit është e rëndësishme për të dy organizatat.

Në tetor, BE-ja, e përkrahur nga shtetet e saj anëtare dhe partnerët, prezantoi një draft statut për formimin e Asociacionit, i bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Ne presim që ky draft statut t’i prezantohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në atë mënyrë që të pranohet nga Gjykata për shqyrtim thelbësor.

Gjatë kohës sa keni shërbyer si ambassador në Kosovë, çka do të thoshit se do ta kujtoni si sukses të arritur nga BE-ja dhe ju personalisht?

Liberalizimin e vizave. Pa dyshim, liberalizimi i vizave është një prej momenteve më të ndritura të mandatit tim. Nga një janari, qytetarët me pasaporta të Kosovës kanë të drejtën që të udhëtojnë në zonën Schengen për një qëndrim të shkurtët, pa iu dashur të aplikojnë për vizitë. Në këtë mënyrë, ata do të ta njohin ëm mirë BE-në dhe do ta eksplorojnë diversitetin që na bashkon. Liberalizimi i vizave, është një rezultat i një pune të vështirë disa vjeçare mes institucioneve të Kosovës, qeverive, institucioneve të BE-së, shteteve anëtare të BE-së, shoqërisë civile, mediave, dhe të tjerëve.

Vendimi, po ahtu është një hap esencial në procesin e zgjerimit, një njohje e punës së madhe që Kosova e ka bërë, dhe një shenjë vlerësimi për shoqërinë kosovare, e cila është shumë mbështetëse e procesit të integrimit në BE.

Lajme të ngjashme