Injoron krejtësisht Cholletin dhe Escobarin, Osmani falënderon "përzemërsisht" vetëm Menendezin
“Falënderim të përzemërt” i ka dërguar Kryesuesit të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Menendez, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo pas raportimit në këtë komision, ku folën gjerësisht dy top diplomatët Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Osmani këta dy të fundit nuk i përmendi, teksa falënderoi vetëm senatorin Menendez, i cili i mbajti të zënë diplomatët me pyetje e nënpyetje të shumta rreth Dialogut Kosovë-Serbi dhe Marrëveshjes së Ohrit.
“Një falënderim të përzemërt për Senatorin Menendez për lidershipin e tij, angazhimin e palodhshëm dhe përkushtimin e tij të palëkundur për demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Osmani.
“Falënderues për iniciativën e tj për seancën e sotme në Komisionin për marrëdhënie me Jashtë, e cila çet dritë kyçe mbi zhvillimet në rajon”, ka shkruar Osmani.
A heartfelt thank you to @SenatorMenendez for his leadership, tireless engagement & unwavering commitment to democracy in the Western Balkans.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) May 18, 2023
Grateful for his initiative for today's Foreign Relations Committee hearing, which shed a crucial light on developments in the region.
Ndaj dy zyrtarëve të lartë amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, të cilët folën me orë për marrëveshjen dhe normalizimin e marrëdhënieve, Osmani nuk e shpenzoi as edhe një rresht në shkrimin e saj.
Çka ndodhi në Komision?
Senatori amerikan Bob Menendez i ka mbajtur të zënë me pyetje dhe nënpyetje dy top diplomatët amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, të angazhar në veçanti me Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjatë raportimit në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë, ku Menendez ngriti dyshime të mëdha ndaj “përkushtimit” të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili as firmën e as emrin s’e ka vendosur mbi marrëveshjen; e për më tepër ka lënë të kuptojë se nuk do ta zbatojë atë në plotni. Këtu Menendez si premisë i shfrytëzoi disa fakte.
“Që nga pranimi i marrëveshjes kemi pasur rezultate të përziera; nisur nga refuzimi i Vuçiqit për ta nënshkruar marrëveshjen. Ne kemi parë që Serbia ka shkelur marrëveshjen duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke nxitur bojkot të zgjedhjeve në veri të Kosovës nga serbët etnikë. Si mund të presim që Serbia ta zbatojë marrëveshjen kur Vuçiqi refuzon ta vë emrin mbi të?”, i pyeti Menendez dy diplomatët.
Derek Chollet, megjithatë, tha se pavarësisht mosnënshkrimit marrëveshja është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme. “Këtë ia kemi thënë Presindetit Vuçiq dhe ai kurrë s’e ka mohuar”, tha Chollet ku edhe menjëherë u ndërpre nga Menendez me një nënpyetje.
“Ai mbase nuk e mohon, por nuk po mendon që është e domosdoshme të zbatohet; e kjo është ekuivalenti!”, vërejti Menendez. Këtu Chollet, megjithatë, tha se në fakt, asnjëra prej palëve nuk është se po shquhen në zbatim të marrëveshjes.
“Epo, nëse mundem zoti Kryesues, nuk është që po shohim shumë zbatim nga asnjëra palë. Kjo është diçka që kolegu im zoti Escobar ka qenë shumë i fokusuar. Kemi bërë diplomaci intenzive që të marrin të dyja palët që të jetësojnë marrëveshjen”, ia ktheu Chollet.
Menendez kërceu në shqetësimin tjetër – atë të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Sytë i drejtoi kah Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar. Këtë pyetje, tha ai, ta kam bërë edhe vitin e kaluar, “por, përgjigje të kënaqshme nuk kam marrë”.
“Shqetësimet se ky Asociacion do të shkel Kushtetutën. ShBA dhe BE vazhdojnë të shtyjnë për krijimin e Asociacionit. Ju kam pyetur para një viti, dhe unë personalisht përgjigje të kënaqshme nuk kam marrë. A mund të na thoni se çfarë do të garantonte që një Asociacion i tillë nuk do bëhej një entitet obstruktiv (pengues) si Republika Srpska në Bosnje. Dhe a keni eksploruar për një model Asociacioni që i shkon për shtati Kushtetutës së Kosovës”, pyeti Menendez, Escobar-in.
“Absolutisht”, tha Escobar. “Në fakt ky është qëllimi ynë”.
Ky Asociacion, tha Escobar, do të jetë mënyrë “për të zhbërë atë çfarë bën Serbia në pjesën veriore të Kosovës” në mënyrë që ato zona të futen brenda strukturave shtetërore. Dhe, që përfundimisht Kosova ta kontrollojë atë. “Dhe këtë unë nuk e shoh si një lëshim ndaj Serbisë, por si një mënyrë për Kosovën që të akomodojnë ata qytetarë”, tha emisari amerikan.
“Do të jetë model evropian, dhe në asnjë nga ata modele evropian një shtet tjetër nuk mund të shtrihet brenda territorit të një fqinji të saj dhe t’ia çalojë kushtetutshmërinë ose strukturën ligjore”.
Çështja tjetër që shqetësoi Bob Menendez, ishte pesëshja mosnjohëse e BE’së. Ai u kërkoi dy diplomatëve llogari se çka po bën ShBA që t’i inkurajojë këto pesë shtete të ndërrojnë kurs ndaj Kosovës. Sepse, tha ai, kjo po i krijon “një justifikim të rehatshëm Serbisë”.
Për pesëshen mosnjohëse, tha Derek Chollet, Kosova do të na ndihmonte shumë t’u ndihmojnë me njohjen e tyre nëse e zbaton marrëveshjen. Njëjtë tha edhe Escobar, e madje këtu identifikoi mozbatimin e Asociacionit nga Kosova si një pengesë ndaj kësaj. “Për t’i dhënë kredibilitet këtyre presioneve (për njohje) neve na duhet të kemi pak zbatim të marrëveshjes, dhe thënë hapur nga pala kosovare njerëzit po presin të shohin zbatim të Asociacionit”.
“Një pjesë e arsyes janë politikat e vetë tyre, nuk është veç për Kosovën apo Serbinë, por kanë situat e veta në shtetet e tyre, dhe frikësohen se mund t’u ndodhë e njëjta në vendet e tyre. Derisa bëmë marrëveshjen për zbatimin e saj, kemi pasë sinjale se kjo mund të ndodhë, do të jetë shumë e vështirë, por ne u themi miqëve tanë në Kosovë që po punojmë shumë, por ne duhet ta shohim këtë marrëveshje që të implementohet”.
Çështja tjetër në rradhë që ngriti Menendez, ishte pakica “sistematikisht e diskriminuar” shqiptare në Luginë të Preshevës.
“Unë personalisht kam dëgjuar nga liderët shqiptarë të Kosovës se shqiptarët në Luginë të Preshevës diskriminohen sistematikisht në Serbi. Raportohet se identiteti i tyre fshihet nga databazat e shtetit serb, duke bërë kështu në thelb njerëz pa shtet. Ndërsa Serbia politizon të drejtat e pakicave në Kosovë, çfarë po bëjmë ne për të adresuar të drejtat e shqpitarëve në Serbi?”, pyeti Menendez.
Escobar nuk mohoi as nuk pohoi gjë sa i përket vlerësimeve të Menendez, por siguroi se po punohet në këtë drejtim.
“Ambasada jonë në Beograd është në mënyrë aktive e angazhuar për këtë. Po përdorim para amerikane pët të ndihmuar në krijimin e disa mundësive për të mundësuar mbrojtje kyçe për shqiptarët, por edhe për boshnjakët dhe komunitetet tjera. Por, ndryshe nga Kosova, Serbia është e njohur nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, dhe është shumë më përpara në rrugën e saj integruese. Por, në të njëjtën kohë ata kanë obligime më të mëdha për të ruajtur të drejtat e pakicave. Dhe do t’i përdorim të gjitha ata leva për t’u siguruar se të gjitha ato të drejta janë të mbrojtura” ka thënë Escobar.