Inflacioni: Kurti e Murati i faturojnë fajin opozitës e Kushtetueses rreth ligjit antikushtetues
Me vetëm rreth tre muaj të mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati po vazhdojnë ta drejtojnë gishtin te opozita dhe Gjykata Kushtetuese për inflacionin e paprecedentë me disa nga produktet bazike që u rritën për gati 100 për qind. Zgjidhja për situatën, sipas kreut të Qeverisë dhe ministrit të tij, ishte ligji antikushtetues – konstatuar nga Gjykata Kushtetuese – për ballafaqimin me këtë situatë.
Kryeministri Kurti e filloi fjalën e tij gjatë seancës së Kuvendit të hënën duke ia atribuar rritjen e çmimeve krizave globale si lufta në Ukrainë për ta rrotulluar më pas argumentin e tij ku për rritjen e çmimeve fajësoi “tregtarët e papërgjegjshëm”, të cilët sipas tij “manipulonin me çmimet”.
“Si pjesë të pakos miratuam edhe ligjin për pagën minimale për të mundësuar rritjen e pagës minimale në sektorin privat, si dhe ligjin për çmimet tavan që të parandalohej abuzimi i tregtarëve të papërgjegjshëm që manipulonin me çmimet.” – tha Kurti.
Në këtë kontekst, kryeministri fajësoi opozitën dhe sulmoi sërish gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Siç edhe e dini, që të dy ligjet deputetët opozitarë i bllokuan duke i dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Eventualisht, Gjykata që më shpesh bën bilanc politik sesa që ndanë drejtësi, njërin ligj na rrëzoi, atë për çmimet tavan, kurse tjetrën na miratoi, atë për pagën minimale."
Të njëjtën logjikë e ndoqi edhe ministri Murati i cili e sulmoi opozitën për parandalimin e ligjit që rezultoi në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Kosovës.
“Çmimet bazë për grurin dhe vajin kanë rënë, por çmimi i bukës nuk po bie. A e dini pse nuk po bie? Sepse ligjin për çmimet tavan e keni bllokuar në Gjykatën Kushtetuese. Qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për bukën për shkakun tuaj.” – Hekuran Murati.
Rrezimi i ligjit për çmimet tavan
Rreth një vit më parë, Gjykata Kushtetuese e shpalli anti-kushtetues Ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.
“Gjykata ka vendosur njëzëri të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Ligji ishte dërguar për shqyrtim në Kushtetuese për nga Arben Gashi dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit.