“Indiferenca e kryeministrit, më e rrezikshme se vetë sulmi”: Kritikohet Kurti pas pengimit të gazetares nga rojet - NACIONALE

“Indiferenca e kryeministrit, më e rrezikshme se vetë sulmi”: Kritikohet Kurti pas pengimit të gazetares nga rojet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti dhe mbrojtja e tij e afërt kanë qenë cak i kritikave pasiqë në një video shihet teksa këta të fundit e kanë penguar në kryerjen e detyrës gazetaren e Klanit të Shqipërisë, Blerta Dalloshi. Reagimet theksuan indiferencën e kryeministrit Kurti deri sa njëri nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt shihet teksa e kapë dhe shtynë nga dora gazetaren. Çfarë ndodhi?

Në videon e publikuar nga gazetarja Dalloshi, një pjesëtar i mbrojtjes së afërt shihet teksa e kap për dore gazetaren, duke e larguar nga rruga.

Në shkrimin e saj, gazetarja Dalloshi ka shkruar se kjo është hera e dytë që është penguar.

“Ka mëse 22 vjet që punoj si gazetare. I kam prit e percjellë të gjitha qeverisjet e kryeministrat duke nis nga Bajram Rexhepi. Por mbrotje të afër si të kryeministrit Kurti asnjëherë nuk me ka rastis me pa. Është hera e dytë që më (sulmojnë) pengojnë në kryerje të detyrës por kjo e sotmja është kulmi.” – shkroi ajo.

Reagimet

Për rastin, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka lëshuar një reagim, përmes sëcilit ka dënuar pengimin në detyrë të gazetares Blerta Dalloshi nga ana e mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti.

Në reagimin e AGK-së thuhet se maltretimi i tillë është i papranueshëm.

“Maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.” – shkruhet në reagimin e AGK-së.

Pas AGK-së, edhe juristja e medias, Flutura Kusari ka reaguar ndaj sjelljes së mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetares së “Klan Tv”, Blerta Dalloshi.

Kusari përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se është e tronditur me sjelljen “agresive dhe shumë të dhunshme” të mbrojtjes së kryeministrit ndaj gazetares.

“Ky rast kerkon reagim te menjehershem sepse ky krijon precedent, te gjithe zyrtaret tjere mbrojtes do te inspirohen nga ky rast dhe do t'i shtyjne gazetaret gra sa here qe ato jane duke e kry punen e tyre. Mikrofoni perben zero, ama bash zero rrezik per kryeministrin. Dhuna e ketij personi eshte e papranueshme, ZKM duhet te distancohet.” – ka thënë ajo.

Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se indiferenca e kryeministrit Albin Kurti ndaj këtij veprimi është më i rrezikshëm se vet sulmi.

Në profilin e saj në “Facebook”, zyrtarja e PDK-së ka shkruar se kjo mendësi e rrezikshme nuk duhet të ketë vend në demokraci.

Një gazetare në detyrë sulmohet nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit Kurti, në praninë e tij. Indiferenca e Kryeministrit karshi sulmit ndaj Blertës, është më i rrezikshëm se vet sulmi. Kjo mendësi e rrezikshme nuk duhet të ketë vend në një demokraci”, ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme