‘Incident i algjebrës’: Gafa e Kurtit në matematikë kalon kufijtë, bëhet lajm ndërkombëtar
Një video e kryeministrit Albin Kurti ku bëri huqje në një detyrë të thjeshtë matematikore, u bë virale gjatë ditës së mërkurë në Kosovë. Të enjten, lajmi ka kaluar kufijtë e vendit tonë, ku në lidhje me këtë ka raportuar edhe mediumi i njohur ndërkombëtar “Politico” në një artikull me titull: “Kryeministri i Kosovës kërkon falje gabon në detyrën matematikore të fëmijëve”.
Qysh në fillim, mediumi e nis raportimin me një citat të Kurtit:
“Nuk do të merrja notë kaluese”.
Tutje, thuhet se Kurti ka kërkuar falje publikisht pasi bëri gabim gjatë zgjidhjes së një problemi matematikor në inaugurimin e një shkolle të mërkurën.
“…Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese.” – tha Kurti.
“Politico” thekson se komentet e Kurtit erdhën pasi videoja e “incidentit të algjebrës” u bë virale në rrjete sociale, transmeton Nacionale.
“Klipi tregon Kurtin duke zgjidhur pa mundim një ekuacion matematikore para një klase gjatë hapjes së një shkolle në Podujevë. Pasi Kurti e përfundoi me besim, secili në sallë duartrokiti, madje edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.” – thuhet në artikull.
Megjithatë, tutje shkruan se pati vetëm një problem: Kurti pati zgjidhjen e gabuar.
“Përdoruesit e rrjeteve sociale kapën shpejt gabimin në zgjidhjen e Kurtit e cila duhej qenë x=0, në vend të x=5”.
Ndryshe, ndonëse i diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, Kurti dështoi në zgjidhjen e ekuacionit. Ai arriti në përfundimin se X ishte 5. Përgjigja e saktë e ekuacionit ishte X = 0.
Kurti shpërfilli një rregull themelor: kur numrat ndërrojnë anë në një ekuacion, ata gjithashtu ndërrojnë shenjat. Ndonëse këtë Kurti e kishte parasysh te e panjohura, rregullin nuk e zbatoi edhe në anën tjetër.
Gabimi nuk kaloi pa u vënë re dhe tërhoqi shpejt vëmendjen në rrjetet sociale, duke shkaktuar një valë talljesh dhe komentesh.
Pas kësaj, Kurti kërkoi falje publike duke pranuar se po të ishte student në klasën e tyre, nuk do të kishte marrë një notë kaluese.
"Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”. Të dashur nxënës, Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0." - shkroi Kurti në Facebook.