"Cenon sigurinë juridike të nëpunësve", IKD kërkon që Ligji për Paga të dërgohet në Kushtetuese - NACIONALE

"Cenon sigurinë juridike të nëpunësve", IKD kërkon që Ligji për Paga të dërgohet në Kushtetuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar nga Avokati i Popullit që Ligjin për Pagat në Sektorit Publik ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Ky institut sot ka deponuar një kërkesë në këtë institucion ku kërkohet që nisë hetimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Në kërkesë instituti ka përmendur nenet problematike të ligjit.

Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm. Përmes kësaj letre, IKD kërkon nga Avokati i Popullit që ta trajtojë këtë çështje dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të iniciojë Ligjin NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese” është thënë në kërkesën e IKD.

Sipas IKD-së, ky ligj cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve.

Sa i përket uljes së pagave, Ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave. Por, IKD ka gjetur se Ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi Ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht nga ky Ligj. Ndonëse ky Ligj nuk ka përcaktuar vlerën monetare të koeficientit, nga fryma e përgjithshme e tij (si psh. përcaktimi i dispozitave mbi shtesën transitore) dhe nga disa prej raportimeve, shihet një tendencë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Me këtë rast, IKD tërheq vëmendjen se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë situatë është në kundërshtim me kërkesat që rrjedhin nga Aktgjykimi nr. KO219/19 dhe në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat kanë krijuar tashmë praktikë dhe standard ndërkombëtar, në raport me pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial”, është thënë në komunikatën IDK-së, duke shtuar se IKD ka gjetur se ligji përmban dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik, aspekt ky që paraqet shkelje të nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ligji për Pagat dje është publikuar në Gazetën Zyrtare. Zbatimi i tij pritet të ndodh nga muaji shkurt.

Lajme të ngjashme