IKD: deri në vitin 2023 Qeveria ka realizuar vetëm 58% të programit legjislativ - NACIONALE

IKD: deri në vitin 2023 Qeveria ka realizuar vetëm 58% të programit legjislativ

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Prioritet – që vazhdojnë të mos arrihen”, ku tregohet se Qeveria Kurti ka dështuar të përmbush planin e saj në aspektin e hartimit të ligjeve.

Raporti në fjalë është rezultat i monitorimit të punës së Qeverisë gjatë vitit 2023.

Sipas këtij raporti, deri në vitin 2023 Qeveria ka realizuar vetëm 58% të programit legjislativ.

Qeveria e Kosovës, deri në fund të vitit 2023 arriti të realizojë 58% të programit legjislativ. Nga 99 projektligjet e planifikuara, Qeveria i miratoi vetëm 57 prej tyre, përderisa 42 të tjera nuk janë miratuar. Qeveria miratoi edhe 21 projektligje të tjera jashtë planifikimeve në Programin Legjislativ”, është thënë në njoftimin për media të IKD-së.

Ndër të tjera, IKD ka bërë me dije se qeveria planin legjislativ e ka ndryshuar disa herë.

“Kjo nuk u reflektua në programin legjislativ, i cili u karakterizua nga mos-stabiliteti i tij. Brenda vitit 2023, ky plan u ndryshua plot 7 herë. Kështu, Qeveria më tepër pati “planifikim dymujor” sesa planifikim vjetor legjislativ. Madje, mos-stabiliteti i Programit Legjislativ u shfaq menjëherë pas miratimit të tij. Kjo pasi Qeveria e ndryshoi këtë plan vetëm gjashtë ditë pas miratimit të tij”, është thënë në komunikatë.

Sipas raportit, gati gjysma e agjendës legjislative e vitit 2023 është bartur nga vitit 2022.

Kjo pasi IKD gjen se 44% e agjendës legjislative për vitin 2023 është bartje e agjendës nga viti 2022. Këtu nuk bëjnë pjesë plot 26 Projektligje, nga miratimi i të cilave Qeveria u zmbraps në vitin 2023, edhe pse planifikoi që të njëjtat t’i miratojë në vitin 2022. Edhe pse programin legjislativ e miratoi me vonesë, Qeverinë e ka karakterizuar jo-stabiliteti për t’iu përmbajtur programit legjislativ. Ajo në shtatë raste ndryshoi këtë program dhe përkundër këtyre ndryshimeve ajo nuk arriti ta përmbushë në plotëni programin legjislativ. Kështu, gjatë vitit 2023, Qeveria më tepër pati Agjendë Legjislative “dymujore” sesa vjetore”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme