Ia shpalli nul Ligjin për Byronë, pushteti e sulmon ashpër Kushtetuesen: Po i shërben nomenklaturës së vjetër - NACIONALE

Ia shpalli nul Ligjin për Byronë, pushteti e sulmon ashpër Kushtetuesen: Po i shërben nomenklaturës së vjetër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pushteti e ka përjetuar rëndë rrëzimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nga Gjykata Kushtetuese. Pas publikimit të këtij aktgjykimi, zyrtarët e lartë të Qeverisë Kurti janë lëshuar në sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese si institucion i pavarur dhe opozitës që e ka dërguar ligjin për shqyrtim.

Valën e sulmeve e ka nisur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Pas saj, shtizat ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese i kanë drejtuar edhe zëvendësministrat e sektorit të drejtësisë dhe disa deputetë të VV-së.

Duke harru se kanë shkelur aktin më të lart juridik dhe politik të vendit, zyrtarët në fjalë kanë drejtuar akuza të ulëta ndaj gardianit të Kushtetutës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulene Haxhiu, ka vlerësimi së rrëzimi i këtij ligji është sabotim i reformës në drejtësi.

Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut. Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Gjyqtarët e Kushtetueses, ajo i ka quajtur një grusht njerëzit që po tentojnë ta ndalin vullnetin e qytetarëve për drejtësi.

Në anën tjetër, 16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithësej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu.

Edhe më i ashpër ka qenë zëvendësministri i Haxhiut, Blerim Sallahu, i cili njohur për deklaratën e tij qesharake rreth “shpërndarjes së vajit në tepsi”.

Nëse mendoni që do të na stoponi e keni shumë gabim. VETËVENDOSJE! jemi NE. Kuptone drejt dhe qartë. Menjëherë do të fillojmë me plotësimin e dëshirave (të cilat nuk janë të tyre) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Me anëtarët e Kushtetueses është marrë edhe zëvendësministri tjetër i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Pesë gjyqtarë të kësaj Gjykate i paskan gjetë ‘behane’ tërë Ligjit, e jo vetëm ndonjë dispozite të tij, siç ndodh zakonisht! Paçka se ky ligj është draftuar me kujdes nga grupe punuese profesioniste – në procedurë standarde që ndiqet me vite të tëra dhe duke pasur parasysh praktikat dhe udhëzuesit e Komisionit të Venedikut. Motivi i Qeverisë në përgatitjen e këtij ligji është i qartë si loti: llogaridhënia për të gjithë ata që janë pasuruar – duke keqpërdorur pozitën publike dhe duke gërryer qesen e shtëpisë së përbashkët, që quhet Republika e Kosovës. Nuk ka forcë apo interes që do na ndalë në realizimin e kontratës tonë me qytetarët e Republikës së Kosovës: për drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie”, ka shkruar Qorrolli.

Përveç zyrtarëve qeveritarë, me Kushtetuesen janë marrë edhe deputetët e partisë në pushtet.

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se aktgjykimi në fjalë i gëzon vetëm hajnat.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky aktgjykim i ka gëzuar vetëm hajnat.

Vendimi i Kushtetueses për të rrëzuar Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë është një goditje e madhe për luftën kundër korrupsionit në vendin tonë. Ky ligj ishte një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë dhe transparencës, por tani, vetëm hajnat e politikës do të gëzohen. Pa këtë mekanizëm të fuqishëm, kriminelët ekonomikë do të ndihen të paprekshëm dhe qytetarët e ndershëm do të humbasin edhe më shumë besim në sistemin tonë juridik”, ka shkruar ai.

Ndryshe nga pozita, opozita, shoqëria civile dhe njohësit e fushës juridike e kanë pritur aktgjykimin e Kushtetueses. Pas aktgjykimit në fjalë, ata kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Qeverisë Kurti.

Lajme të ngjashme