“Ia kanë përplasur ilaçet për tokë” - Pacolli tregon për një qytetar që u keqtrajtua nga policia e Serbisë në kufi
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se qytetarët e Kosovës çdo ditë po i nënshtrohen ndalesave, keqtrajtimit dhe grabitjeve nga policët serb në pikat kufitare.
Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka treguar një rast, ku ka thënë se në vendkalimin Merdare një kosovar me inicialet E.E. (shtetas zviceran) po udhëtonte drejtë Kosovës dhe i njëjti është ndaluar për një kohë të gjatë dhe pa asnjë arsyeje.
Tutje Pacolli ka treguar se personit të ndaluar i është kërkuar ryshfet dhe pas refuzimit është mbajtur 45 minuta, ku kanë tentuar t’i konfiskojnë edhe ilaçet që i përdor çdo ditë, duke ia përplasur për tokë.
Kreu i AKR-së tutje ka thënë se këto raste të keqtrajtimeve skandaloze nga policia e Serbisë, që sipas tij shpesh herë janë edhe në gjendje të dehur, ndodhin çdo ditë.
Postimi i plotë:
Qytetarët e Kosovës çdo ditë po i nënshtrohen ndalesave, keqtrajtimit dhe grabitjeve të pajustifikuara nga policët serbë në pikat kufitare.
Shembulli më i fundit ka ndodhur sot në vendkalimin Merdar, ku një kosovar EE ( shtetas zviceran) qe po udhëtonte për në Kosovë, për një varrim familjar u ndalua për një kohë të gjatë, pa ndonjë arsye. Atij iu kërkua ryshfet. Për shkak të rrefuzimit për të paguar, ai u mbajt mbi 45 min, madje tentuan t'i konfiskojnë edhe ilaçet që i përdor cdo ditë ( duke i'a perplas ato per toke). Çfar primitivizmi, çfar kulture!!!.
A është ky shteti qe ka ndërtuar zotri Vuçiçi!!!!
Kjo ka ndodhur sot në orën 19:30,
Këto raste janë vetëm disa prej rasteve të përdishme të keqtrajtimeve skandaloze të udhëtarve nga policija ( shume here ne gjendje të dehur) e Serbisë që duhet raportuar dhe dënuar nga të gjitha autoritetet ndërkombëtare.
