“I thashë Blinkenit dhe të tjerëve se çka nuk do të zbatojmë” – a po i shkel Serbia detyrimet e marrëveshjes? - NACIONALE

“I thashë Blinkenit dhe të tjerëve se çka nuk do të zbatojmë” – a po i shkel Serbia detyrimet e marrëveshjes?

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Ndonëse bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje të forta për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë të dhënë për RTS ditë më parë, duke folur për marrëveshjet dhe propozimin evropian ka pohuar se nuk do ta zbatojë plotësisht këtë plan të propozuar nga BE-ja, duke u bërë të qartë politikanëve perëndimorë se cilat pjesë të planit do të zbatojë dhe cilat jo. Nga Kosova, shefi i kabinetit të presidentes Osmani, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve pas deklaratave të presidentit serb.

“I thashë të gjithëve se çfarë mund të pranojmë nga propozimi, çfarë jo” – deklaroi Vuçiq.

Kreu i qeverisë serbe madje tha se ka komunikuar qartë me liderët perëndimorë, duke përfshirë edhe Presidentin francez Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe zyrtarin amerikan Antony Blinken, se cilat pjesë të propozimit franko-gjerman Serbia nuk do t'i pranojë. Ai u shpreh se ka të drejtë të thotë atë që mendon dhe se nuk ka nevojë që t'i thonë të njëjtën gjë më shumë herë.

Ai pohoi se Serbia do t'i zbatojë disa pjesë të propozimit franko-gjerman, e disa jo dhe se këtë më parë ua kishte bërë të qartë të gjithë politikanëve perëndimorë.

"E thashë qartë se cilat (pika të marrëveshjes) nuk janë. Për të gjithë. Për Macron, Scholz dhe fytyrën e Blinken. Dhe çfarë duhet të më thonë mua? Kur shohin dikë që është i vendosur dhe e shikon drejtpërdrejt në sy, i them dhjetë herë. Çfarë duhet të më thonë mua.” – pohoi ai në përgjigje të një pyetjeje për planin franko-gjerman.

Lidhur me pohimet e Vuçiq, ka reaguar Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai përmes një cicërime në Twitter ka bërë thirrje për sanksione duke thënë se "është rënë dakord për një kontradiktë të qartë me qëndrimin e BE-së".

“Vuçiq për RTS-në e Serbisë duke folur për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën: “Ne do të zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë atë që nuk do të zbatoj.” Është rënë dakord për një kontradiktë të qartë me qëndrimin e BE-së. Sanksionet duhet të pasojnë!” – ka thënë Vela.

A e shkeli ministri i Vuçiqit marrëveshjen?

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq gjatë një vizite në Taxhikistan, është deklaruar para pak dite se ky shtet nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës.

“Në bisedimet me zyrtarët e Taxhikistanit u konfirmua edhe një herë mbështetja e Taxhikistanit për integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe u tha qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, deklaronte ministri Daçiq, raporton KosovoOnline.

Madje ai u mburr se Serbia tashmë e ka forcuar politikën e jashtme kur bëhet fjalë për Kosovësn.

“Daçiq shtoi se Serbia e ka forcuar pozitën e saj në politikën e jashtme kur është fjala për Kosovën.” – tha ai.

Presidenca e Kosovës e “denoncoi” edhe Daçiqin

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani ka thënë se kryediplomati serb, Ivica Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus.

Ngjashëm me reagimin ndaj presidentit Serb, Vela reagoi edhe ndaj ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, duke e quajtur një përpjekje të dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit katër të marrëveshjes me Kosovën.

“Serbia do të shkelë nenin katër nëse voton kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë.” – tha ai.

“Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus. Një veprim i dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes me Kosovën. Serbia do të shkelë nenin 4 nëse voton kundër anëtarësimit të Kosovës në organet ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë!” – ka shkruar Vela në reagimin e tij.

Çka thotë neni 4 dhe 5 i marrëveshjes

Neni 4 dhe 5 i marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e i shoqëruar nga aneksi i Ohrit, e përcakton se Kosova dhe Serbia nuk mund ta përfaqësojnë palën tjetër në sferën ndërkombëtare e se Serbia nuk do të kundërshoj Kosovën për tu anëtarësuar në asnjë organizatë.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme