“I papranueshëm; provokim”: Shumë reagime pas incidentit të Osmanit në Maqedoninë e Veriut - NACIONALE

“I papranueshëm; provokim”: Shumë reagime pas incidentit të Osmanit në Maqedoninë e Veriut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë u njoftua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është penguar gjatë udhëtimit përmes aeroportit të Shkupit në Maqedoninë e Veriut. Në lidhje me këtë temë kishte dy reagime zyrtare, nga Presidenca e Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, të cilët dhanë versionet zyrtare. Megjithatë, në Kosovë ka pasur reagime edhe në sferën politike e mediale për këtë incident.

Dukagjin Gorani, analist në T7, ishte radikal në qëndrimin e tij. Sipas Goranit, pas këtij incidenti duhet të ndërpriten marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

“Nëse është mu interpretu ajo deklaratë, ajo duhet me u nënkuptu që prej sonte ne ishim dasht m'i shkëput mardhëniet diplomatike me Maqedoninë, ish dasht me kap për veshi ambasadorin maqedonas edhe me qit përtej kufinit ish desht me e dërgu një demarsh edhe në Shkup edhe në BE për me tregu që në këso niveli alarmues janë sjellë me përfaqësues të shtetit tonë. Ne po ashtu e dim që kjo kurrë nuk ka me ndodhë. Une nuk mendoj që krejt ky interpretim që ka dalë në media nuk është i fundit, nuk është përfundimtar. Unë mendoj që gjatë ditëve do ti marrim vesh edhe detajet. Këso incidente neve nuk na ka ndodh kurrë, deri te kjo udhëheqje që e kem”, tha Gorani.

Ndërsa Uk Lushi, analist dhe ish-ushtar i UÇK-së në batalionin “Atlantiku”, i dha përkrahje absolute presidentes Osmani.

“Sulmi kundër Presidentes Osmani sot në Shkup është përgjegjësi dhe dështim i shtetit të Maqedonisë Veriore. Provokimet ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe jashtë saj janë lojë me zjarr e maqedonasve. Shteti i Maqedonisë Veriore duhet të kërkojë falje dhe të garantojë që kësi dështimesh të mos përseriten. Jam me Presidenten tonë!” – ka shkruar ai.

Ndërsa Valon Syla krejt këtë e quajti provokim dhe incident të rëndë.

“Përpos që është incident i rëndë, mund të merret edhe si provokim. Cila është nevoja e shtetit maqedonas që t’i merret telefoni presidentes së Kosovës, as një qyetetari të rëndon nuk i merret, lërë më presidentes. Sigurisht që është provokim. Diplomacia e shteti i Kosovës duhet të reagojë shpejtë” – ka thënë Syla në Pressing.

Ndërsa Ilir Mirena, analist, zgjodhi të shtronte një pyetje ironike.

“E ku ke Prindoni kur i ndodhi ky poshtnim Vjosa Osmanit prej VMRO-VLEN’it? Ku m’i ka snajperat e uniformat?

A veç llafe llafe…” – ka shkruar Mirena.

Natyrisht, kishte edhe kritika ndaj presidentes Osmani. Sipas Kimete Berishës, opinioniste, Osmani ka provokuar luftë.

“Provokoi luftë!

E patë se si nga mendjemadhësia provokoi të vriten njerëzit për çantën e saj në aeroport.

Të kishte veç pak takt s'do ta kishte bërë punën t'ia çelnin çantën, por do ta çilte vet! E çel njeriu çantën kur e sheh se s'bën pa u çelur.

Të ishte normale s'do ta bënte veten ta shtynin zyrtarët e aeroportit si cuklën.

Kompleksi i superioritetit të bie në këtë derexhe” – ka shkruar ajo, ndër të tjera.

Për të lexuar reagimin e Presidencës së Kosovës, klikoni këtu, ndërsa për të kuptuar qëndrimin e Aerportit e Shkupit, klikoni këtu.

Lajme të ngjashme