“I marrim seriozisht, keqkuptimet të eleminohen”: Si iu përgjigj Policia kritikave të Amerikës për instrumentalizim? - NACIONALE

“I marrim seriozisht, keqkuptimet të eleminohen”: Si iu përgjigj Policia kritikave të Amerikës për instrumentalizim?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kur u mbyllën strukturat paralele në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin përdorur një fjali serioze se qeveria po e instrumentalizon Policinë e Kosovës.

Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë” – kishte nënvizuar ambasada.

Tutje, në këtë reagim, Ambasada e kishte përdorur një togfjalësh të ashpër, duke e akuzuar Qeverinë për “instrumentalizim të vazhdueshëm policisë”.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës për "vazhdim të konsultimit dhe koordinimit me komunitetin ndërkombëtar". Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj” – kishte thënë ambasada.

Për këtë, disa javë më pas, është përgjigjur Policia e Kosovës. Këta të fundit kanë thënë se i marrin seriozisht këto deklarata, dhe janë të gatshëm të punojnë që keqkuptimet të eleminohen.

“Po ashtu PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në. PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me SHBA-të. Policia e Kosovës, udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës andaj është e hapur dhe e gatshme që ti ofrojë opinionit të gjerë dhe mediave informacionet zyrtare dhe statistikat për trajnimet”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia gjithashtu mohoi raportimet se Amerika ka vendosur sanksione për trajnime e organizime të përbashkëta. Në anën tjetër, ambasada e Amerikës ka bërë të ditur se një vendim i tillë është ende në shqyrtim.

Sveçla nuk e ka thënë asnjë fjalë deri më tash për kritikat nga Amerika për instrumentalizimin e Policisë. I vetmi që ka folur është kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në mbrojtjen e tij për Sveçlën, Konjufca ka folur me të folmen e tij karakteristike: me pauza, me ripërsëritje të fjalëve, me theksim të tyre. Megjithatë, kësaj radhe, si rrallëherë, Konjufca e përdori edhe pak anglishten, në një përpjekje për të shpjeguar se nuk ka “instrumentalizim të policisë.

Policia është institucion i shtetit. Edhe ky institucion i shtetit është për garantimin e sundimit të ligjit, me sa e di unë, në Kosovë. Law enforcement, quhet sundim i ligjit. Në anglisht i thonë ashtu. Gati i bjen edhe si fuqizim i ligjit, zbatim, zbatim i ligjit bash. Për me pasë zbatim të ligjit, duhet me u sfidu ata të cilët e kundërshtojnë këtë zbatim të ligjit. Dhe kjo nuk duhet me u analizu në kuptimin etnik. Ka serbë atje të strukturave paralele që e sfidojnë Kosovën dhe sundimin e ligjit, por në qytetet e tjera ka edhe shqiptarë që janë të etnisë shqiptare, që mujnë me bo krim të organizuar, që mujnë me shkel ligjin, e sfidojnë policinë dhe policia reagon” – ka thënë ai.

Duke folur në emisionin “DPT te Fidani”, Konjfuca tha se nuk mendon që “çfarëdo ndërhyrje në veri…është instrumentalizim i policisë”.

“Në asnjë moment nuk mendoj që çfarëdo ndërhyrje e Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të Kosovës është instrumentalizim i policisë për me dëmtu dikë në baza etnike. Mua më është dukur kështu. A e ka pasur cak ndonjëherë Policia e Kosovës, me ndonjë veprim te saj në atë pjesë të territorit, ndonjë civil, qytetar të thjesht serb, i cili nuk ka ra ndesh me ligjin. Në momentin kur do të vepronte Policia e Kosovës ashtu, atëherë veprimet i ka pasur për shkak të përkatësisë etnike të atij personi, jo për shkak që ka ra ndesh” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme