I madh e i vogël kundër: Pse u hallakat VV-ja nga videoja e Abdixhikut?
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka trazuar eksponentët e VV-së. Që nga dje, partia në pushtet, që udhëhiqet nga Albin Kurti, ka pasur në shënjestër Abdixhikun, i cili përmes një videoje e kritikoi pushtetin për propagandë me shifra. Pse Abdixhiku e “hallakati” VV-në?
Me shumë gjasë, arsyeja pse u trazua VV-ja nga videoja e Abdixhikut lidhet me kundërshtimet mbi shifrat ekonomike të ofruara. Pra Abdixhiku po e sulmon narrativën e VV-së për investime kapitale, zhvillim ekonomik e prosperitet. Kundër një videoje të Abdixhikut, zyrtarë të ndryshëm të VV-së kanë shkruar statuse kundërshtuese dhe madje kanë tentuar të ironizojnë me kryetarin e LDK-së.
I pari që reagoi, përmes një shkrimi relativisht të gjatë, ishte Hekuran Murati, ministër i Financave. Ai e akuzoi Abdixhikun e LDK-në për dredhje të numrave e grafikonave, duke shtuar se po synojnë “ta bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta”.
Madje, Murati e postoi një fotografi të Abdixhikut, të prerë nga videoja, ku kryetari i LDK-së dukej me sytë gati të mbyllur. Në shkrimin e tij, Murati videon e Abdixhikut e quajti “propagandë”.
“Dhe për fund, për t’i vënë kapak propagandës, mjafton të shikoni pëlqimet në statusin e Lumirit. Shumica dërmuese e personave që kanë pëlqyer postimin e tij janë profile false.
Nuk bën kështu, Lumir. Kjo do të të falej nëse garon për kryetar klase, por kjo nuk është e denjë për dikë që pretendon të garojë për kryeministër.” – shkroi Murati, ndër të tjera.
Në vagonin e postimeve kundër Abdixhikut, hyri edhe deputeti i VV-së, Dimal Basha.
“Për kryetar klase mbase ndoshta edhe t’kalon kjo propagandë, por për ma naltë t’kapin njerëzit për veshi” – shkroi Basha.
Edhe deputeti tjetër i VV-së, Arbër Rexhaj, shkruajti kundër Abdxhikut.
“UBO i paska nxjerrë punë Lumirit ta bëj edhe një sondazh të ri!” – shkroi Rexhaj.
Në këtë linjë ishte edhe Fitore Pacolli, deputete e VV-së, e cila ironizoi me Abdixhikun.
Kritikë ndaj Abdixhikut, me të njëjtin diskurs, kishte edhe zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
“Qenka publiku sondazhi i fundit i bërë nga UBO Consulting. Prapë punë me bë video Abdixhiku.” – shkroi Manxhuka.
Çfarë tha Abdixhiku në videon që e trazoi VV-në?
Mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, publikoi një video të shkurtër, ku foli për investimet kapitale të Qeverisë së Kosovës. Që në hyrje, Abdixhiku thekson se këtë javë kanë vendosur të shpërfaqin propagandën qeveritare.
“Këtë javë kemi vendosur të shpërfaqim propagandën qeveritare, por me fakte. Sepse çdo postim i tyre, çdo deklarim i tyre është i mbushur me propagandë. Merreni për shembull temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të lartat në histori, për të bërë vetën të duken më mirë besoni ose jo i llogarisin edhe investimet e komunave, aty ku ne si LDK kemi rol qeverisës” – ka thënë Abdixhiku.
Në video, Abdixhiku ka thënë se investimet kapitale të Qeverisë Kurti në tri vitet e fundit janë vetëm 11 për qind.
“Sa për rikujtim investimet e Qeverisë në këto tre vitet e fundit janë vetëm 11%, më të ulëta në historinë e Kosovës. Ose merreni për shembull propagandën e tyre rreth Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Radojçiqit, në të cilin përndryshe kanë folur vet këta.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
“Sepse besojmë se hajnat duhet vërtetë të jenë në burg. Por, kur jemi tek hajnat dhe tek burgu vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për 5 ditë pune janë nënshkruar plot 7 tenderë të rinj sekret në këtë Qeveri. 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy. Më s’janë 781 kontrata janë 788, më s’janë 209 milionë euro, janë 213 milionë euro. Nga 1 milion euro në ditë po jepen në këtë Qeveri, nëpërmjet negocimit sekret. Kjo është e vërteta, këto janë faktet dhe ne jemi këtu për t’i vendosur faktet para propagandës!" - ka shtuar Abdixhiku.