“I kam pikëpyetjet e mia”: Hamza pas takimit me Lajçakun flet edhe për draft-statutin
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, është deklaruar para gazetarëve pas takimit që ka pasur me përfaqësuesin special të BE-së, Mirosllav Lajçak, dhe ka thënë disa fjalë edhe për draft-statutin e Asociacionit.
Ai është shprehur se në takim me Lajçakun kanë folur për (sic) “situatën e përgjithshme në Kosovë, regjion, për çështjen e dialogut, për zhvillimet që janë duke ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në këtë pjesë të Kosovës.”
Kujtojmë se më herët z. Lajçak ishte shprehur se kishte interes të dinte për perspektivën e z. Hamza në lidhje me këto çështje.
Hamza tregoi se pjesë e bisedimeve ishte edhe çështja e urës së Ibrit, për të cilën u mor vendim që të lëshohej për qarkullim të plotë nga ana e pushtetit komunal në Mitrovicë të Veriut.
I pari i Mitrovicës u shpreh edhe në lidhje me draft-vizionin e Kurtit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Draft-vizion të them të drejtën nuk e di, draft-statut po. Tash është prezantu një draft-statut, i cili sipas të gjitha gjasave është një dokument që është diskutu, por jo diçka më shumë. Ka opsione të ndryshme dhe sigurisht që këto çështje kanë me u definu në ditët në vijim dhe në të ardhmen. Kështu që është prezentu një dokument, tash të them të drejtën, a ka qenë rruga e duhur me shku deri aty, i kam pikëpyetje e mia.” – shtoi tutje z. Hamza.
Kujtojmë se kryeministri Kurti ishte kritikuar edhe nga akterë të tjerë që kishte pranuar t’i prezantohej një draft-statut nga ana e ekipit menaxhues që kryesohej nga një deputete serbe që vinte nga radhët e partisë së Aleksandër Vuçiqit.
