"Zhbllokohet" Trump - Meta ia rikthen llogaritë në rrjetet sociale Facebook e Instagram
Në një vendim të shumëpritur, Meta ka njoftuar se do të lejojë rikthimin e Donald Trump në Facebook dhe Instagram pas një ndalimi dy-vjeçar në këto platformë, që erdhi si shkak i sjelljes së tij gjatë sulmit të Kapitolit më 6 janar.
“Meta do të lejojë që Trump të kthehet në javët e ardhshme, por me masa të reja për të penguar përsëritjen e shkeljeve", - ka shkruar presidenti i çështjeve globale në platformën Meta, Nick Clegg, duke shpjeguar vendimin.
Ai më tej ka shtuar se, “ashtu si çdo përdorues tjetër i Facebook apo Instagram, zoti Trump i nënshtrohet standardeve të komunitetit tonë”.
Është bërë e ditur po ashtu se, “në rast se Trump poston përmbajtje të mëtejshme dhunuese, ajo përmbajtje do të hiqet dhe ai do të pezullohet nga një muaj deri në dy vjet, në varësi të ashpërsisë së shkeljes.”
Ndërsa ende nuk është e ditur nëse ish-presidenti do të fillojë të postojë sërish në platformë, në një letër të dërguar më parë Metës, ishte bërë e ditur se ai kishte dëshirë të kthehej.
“Ne besojmë se ndalimi i llogarisë së Presidentit Trump në Facebook ka shtrembëruar dhe penguar në mënyrë dramatike diskursin publik”,- thuhej në kërkesën që i ishte dërgur Meta-s, ku kërkohej rikthimi i llogarive të Trump.
Ndërkohë, sipas The Guardian, mbrojtësit e sigurisë në internet kanë paralajmëruar se kthimi i Trump do të rezultojë në një rritje të dezinformatave dhe dhunës në jetën reale.
Trump është hequr nga platformat e Meta-s pas trazirave të Kapitolit më 6 janar 2021, gjatë të cilave ai postoi pretendime të pabazuara se zgjedhjet ishin vjedhur, gjë që nxiti dhunën. Këto veprime gjithashtu ndikuan që ish-presidenti të ndalohej nga Twitter, Snapchat dhe YouTube.
Përveç Meta-s, edhe disa kompani të tjera tashmë kanë lejuar që Trump të kthehet. Ndalimi i Twitter, megjithëse fillimisht ishte i përhershëm, më vonë u anulua nga shefi i ri ekzekutiv , Elon Musk, ndërsa YouTube nuk ka ndarë një afat kohor për një vendim për të lejuar kthimin e tij. Trump vazhdon të mbetet i ndaluar nga Snapchat.

