Hungaria zgjedh mes populizmit autoritar dhe liberalizmit evropian - NACIONALE

Hungaria zgjedh mes populizmit autoritar dhe liberalizmit evropian

4 vjet më parë

nga NACIONALE

8 milionë hungarazë sot, më 3 prill, kanë të drejtë vote në zgjedhjen e qeverisë së re. Të gjitha partitë e mëdha opozitare në Hungari janë bashkuar për të mundur Viktor Orbanin, kryeministrin e tanishëm. Bashkimi i opozitarëve shihet më shumë si “martesë zori” pasi janë bashkuar politikanë të qendrës, liberal e majtistë vetëm e vetëm për ta larguar nga pushteti partinë Fidesz-të që sundon tash e 12 vjet.

“Martesa” e gjashtë partive opozitare vjen pas qeverisjes 12-vjeçare të Orbanit – qeverisje që është cilësuar se ka degraduar në autoritarizëm dhe ka zhytur Hungarinë në fashizëm e me politika represive e diskriminuese.

Institucionet e pavarura shtetërore e kanë pasur gjithnjë e më të vështirë të funksiononin nën qeverisjen Orban, si dhe ka ngecje të dukshme në sundimin e ligjit.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe vetë Bashkimi Evropian kanë akuzuar qeverinë hungareze se ka futur nën kontrollin e saj sistemin e drejtësisë. Qeveria e atjeshme është akuzuar s’e ka organizuar vazhdimisht fushata denigruese ndaj gazetarëve, aktivistëve, politikanëve rivalë e biznismenëve që shiheshin kundërshtarë të regjimit të tij. Po ashtu, është cënuar autonomia akademike pasi është mbyllur një universitet, si dhe nëpër disa universitete janë diktuar programet akademike të tyre.

Po ashtu, duke shfrytëzuar sistemin e drejtësisë dhe policinë janë shtypur revoltat e protestat kundër qeverisë së tij.

Përgjatë qeverisjes së Orban janë fuqizuar një grusht biznesmenësh hungarezë të afërt me Viktor Orbanin dhe partinë Fidesz. Ky grup, që tashmë po quhen oligarkë, janë fuqizuar duke marrë kontrata marramendëse për tenderë e koncesione, e duke marrë në shfrytëzim prona publike, shërbime shtetërore e pasuri tjera.

Tashmë këta biznesmenë janë fuqizuar ekonomiksht aq shumë sa që – edhe me ndihmën e shtetit hungarez – janë duke investuar e futur nën kontroll biznese e pasuri edhe në Slloveni, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Tashmë biznismenët hungarezë kanë blerë biznese edhe në Shqipëri.

‘‘Në fund të vitit të kaluar 4iG rrëmbeu ofruesit e dytë dhe të tretë më të mëdhenj të telekomunikacionit në Shqipëri ONE Telecommunications dhe ALBtelecom – dhe grupi bankar OTP bleu filialin shqiptar të Alpha Bank të Greqisë’’ – raportonte media investigatife nga Tirana Reporteri.

Qeveria e Orbanit akuzohet se me politika diskriminuese e jo fer po rritë pabarizitë sociale në Hungari, ani pse dikur lideri autoritar mburrej për implementimin e politikave sociale që çonin drejt mirëqenies hungarezët – Orban ka ardhur në pushtet duke përdorur shumë shpresh frazën ‘‘qeverisje për masat dhe jo për elitat’’.

Popullizmi dhe nacionalizmi i Orbanit shpeshherë ka përfunduar në racizëm e dhunë.

Partia e tij duke pasur shumicën parlamentare miratonte politika që janë parë si përndjekëse kundrejt refugjatëve dhe emigrantëve. Politika të tilla janë miratuar edhe për të luftuar grupet politike e ekonomike vendore e të cilat Orbani i shihte si ‘‘kundërshtarë të tij dhe të Hungarisë’’.

Ligjërimi popullist i Obranit ka rritur urrejtjen dhe mosdorimin ndaj pakicave etnike, racore, fetare e seksuale. Janë shënuar sulme e incidente të shpeshta kundrejt pakicave – ku shpeshherë kanë qenë të përfshirë edhe forcat policore.

‘‘Ne nuk i shohim këta njerëz si refugjatë muslimanë, ne i shohim ata si pushtues muslimanë’’ – thoshte Orban në vitin 2018 përgjatë përshkallëzimit të krizës së refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Kryeministri hungarez Viktor Orban shtonte se ‘‘mësymja e myslimanëve’’ do krijonte ‘‘shoqëri paralele’’ dhe se ‘‘shoqëria myslimane dhe ajo e krishtere s’mund të jetojnë së bashku’’, duke shtuar fraza raciste se ‘‘pothuajse të gjithë terroristët janë emigrantë’’, përderisa shpallte të vdekur dhe iluzion multikulturalizmin, që mbetet ndër themelet kyçe të Bashkimit Evropian, organizatë në të cilën është bashkangjitur Hungaria në vitin 2004.

Orban bënte thirrje që ‘‘Evropa e krishterë’’ të bashkohet kundër ‘‘helmit’’ siç i quante ai refugjatët nga Lindja e Mesme apo nga kontinenti afrikan – sidomos të shteteve afrikane veriore me shumicë myslimane – dhe kundër të cilëve ndërtonte mure të hekurta për rreth Hungarisë.

Shumë prej përkrahësve të Obran, e shohin atë si ‘‘reprezentues i vlerave të vërteta evropiane, si krishterizmit, dominimit të shtetit nacional dhe qeverisjes ‘për masat dhe jo për elitat’’’. Mosdorimi e urrejtje ndaj pakicave dhe politikat konservatore kanë qenë karakteristikë e qeverisjes të këtyre viteve.

Orban është akuzuar se ka nisur fushata shtetërore kundër komunitetit LGBTIQ+ dhe ka shtyer përpara ligje homofobike.

Vitin e kaluar në parlamentin hungarez në parim kishte kaluar një ligj ku, ndër tjera, bëheshin të jashtëligjshme përshkrimet për homoseksualitetin dhe çështjeve transgjinore (si në kurrikulën e shkollës ashtu edhe në shfaqjet televizive) dhe ndalohej qasja e fëmijëve karshi përbajtjeve me tematikë të të drejtave të komunitetit. Ligji shihej si diçka që barazonte homoseksualitetin me pedofilinë.

Ashpër kundër kësaj tendence homofobike kishte reaguar BE-ja, ku edhe ishin marrë masa ligjore kundër Hungarisë, pasi brenda BE-së ligjet diskrimunuese janë të ndaluara.

Mirëpo, Orbani ka nisur tashmë organizimin e referendumit për këtë ligj ku edhe do votojnë sot paralelisht me votën që do e japin për kryeministrin e ri të vendit.

Shumë probleme, por zgjedhjet nën hijën e Putinit

Përkundër të gjitha ngjarjeve dhe akuzave ndaj Orbanit, si dhe bashkimit të opozitës, sondazhet nxjerrin fitues partinë Fidesz. Mirëpo, dallimi në vota është i zbehtë dhe shumë prej votuesve janë shprehur se janë të pavendosur se kë do votojnë në zgjedhjet e 3 prillit.

Epërsia e lehtë në vota ka ngritur shqetësimet e gazetarëve, politikanëve, e organizatave joqeveritare se zgjedhjet rrezikojnë të manipulohen. Epërsia e vogël në vota mund të përmbyeset nga opozita dhe këtë e di Viktor Orbani dhe kështu partia e tij mund të përdorë aparatin shtetëror për manipulim dhe garë jofer në zgjedhje.

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj këtyre shqetësimeve. Po ashtu, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka ndërmarrë misionin monitorues të zgjedhjeve më të madh ndonjëherë në historinë e saj.

Pavarësisht shqetësimeve e problemeve të mëdha për demokracinë, të drejtat e njeriut, sundimit të ligjit fushata zgjedhore e sivjetme në Hungari ka qenë nën ndikimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Fushata zgjedhore niste disa ditë para nisjes së invazionit rus në shtetin e Ukrainës dhe i ka marrë anë të gjitha problemeve tjera në Hungari.

Hungaria dhe Federata Ruse janë shtete fqinje. Hungaria dhe Rusia kanë lidhje të shumta ekonomike. Konservatorizmi i Orbanit vazhdimisht është cilësuar si i përafërt me atë të presidentit rus Vladimir Putin. Bile, Orbani është quajtuar nga mediet ndërkombëtare si ‘‘miku i fundit i Putinit brenda BE-së’’. Brenda Hungarisë, politikanët rivalë vazhdojnë ta quajnë si mik i ngushtë i Putinit dhe se këto zgjedhje duhet shfrytëzuar për ta larguar Hungarinë nga ndikimi i Federatës Ruse.

Viktor Orban në anën tjetër u ka thënë hungarezëve se shteti i tij nuk duhet përzihet në luftën në Ukrainë dhe se qëllimi i tij është që të sigurojë vazhdimin e kontratave që do vazhdonin që gazi rus të shkonte në Hungari – kjo pasi Hungaria vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me gazin dhe naftën ruse.

‘‘Nëse fiton opozita, armët do shkonin në Ukrainë ditën tjetër’’ – thoshte Orban para turmës së njerëzve dhe të cilëve u premtonte s’e kjo s’do të ndodh në qeverisjen e tij pasi importet e energjisë prej Rusisë janë të domosdoshme për ekonominë hungareze, e nëse ndodh e kundërta, kryeministri momental, u thoshte hungarezve s’e do përballen me krizë ekonomike.

‘‘Tradhtar’’ – e ka quajtur Obranin, lideri i opozitës Peter Marki-Zay.

Lideri i gjashtë partive opozitare Marki-Zay ka thënë se qasja e tillë e Orbanit rrezikon të çojë në izolim ndërkombëtar hungarezët dhe kjo përbën tradhti për ta. Lideri opozitar i sheh këto qëndrime të kryeministrit aktual hungarez si vazhdim ‘‘i largimit të Hungarisë prej Bashkimit Evropian dhe NATO-s’’ dhe se kjo ka ‘‘sjellë përjashtim ndërkombëtar’’ për vendin e tij’’, pasi Hungaria tashmë ka dalë kundër interesave të BE-së dhe NATO-s, dhe nisur nga kjo është i frikësuar se edhe Hungaria do mund të përballet me sanksione ndërkombëtare.

“Unë vazhdoj të them se ne duhet ta ndalim Putinin, jo Brukselin. Le të jemi vetëm një herë në anën e duhur të historisë, le të jemi vetëm një herë në anën e fitores” – thoshte Peter Marki-Zay për Radio Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, Viktor Orban ka dal kundër pushtimit rus të Ukrainës, por ka refuzuar të fajësoj drejtpërdrejtë Kremlinin për agresion. Qeveria e Hungarisë i është bashkuar saksioneve kundër Federatës Ruse, por deri tash ka refuzuar t’i bashkohet ndihmave ushtarake për Ukrainën. Ai është pajtuar që t’i bashkohet sanksioneve të paprecedentë të Perëndimit kundër Rusisë, por ka thënë se Hungaria nuk do të ndihmojë drejtpërdrejt në armatosjen e ushtrisë ukrainase.

Orban përgjatë fushatës zgjedhore ka insistuar se hungarezët duhet të shikojnë punët e veta dhe të mos përzihen në problemet e shteteve tjera, e sidomos në luftërat mes superfuqive, pasi ‘‘Hungaria do dilte humbësja’’ cilado nga palët fiton luftën. Duke bërë thirrje që Hungaria të shikojë interesat e veta ekonomike.

Në anën tjetër, opozitarët hungarezë kanë akuzuar Obran se s’po bën gjë për të mbrojtur hungarezët që jetojnë në Ukrainë. Diaspora më e madhe hungareze gjendet në Ukrainë dhe regjistrimi i popullësisë tregonte se mbi 150 mijë hungarezë jetojnë në Ukrainë.

Opozitarët hungarezë kanë thënë se këto zgjedhje kanë të bëjë me orientimin e Hungarisë kah Bashkimi Evropian apo kah Rusia. Viteve të fundit, BE ka tërhequr miliarda euro ndihma financiare të destinuara për Hungarinë, pasi shteti hungarez akuzohej se s’po i kryente reformat për sundim të ligjit, apo se legjislacioni i saj është i mbushur me ligje diskriminuese, e korrupsion që prek pasuritë publike.

Kreu i partisë Fidesz është në krye të qeverisë hungareze prej vitit 2010, por karriera e tij politike nisi më shumë se tri dekada më parë. Orban ishte kryeministër i Hungarisë edhe përgjatë viteve 1998-2002. Ndërsa Fideszan e udhëheqë prej vitit 1993, me disa shkëputje të vogle.

Rivali i tij politik, Peter Marki-Zay është kryetar i Komunës Hodmezovasarhely, pasi në vitin 2018 arriti të mposhtë kanditatin e Fidesznas.

Lajme të ngjashme