Hoxhaj kërkonte para 4 muajsh “zgjedhje reale” brenda PDK-së: Nuk e zuri hapin apo s’i dhanë mundësinë?
“Zgjedhje reale të PDK-së”.
Kështu, para katër muajsh, do të kërkonte Enver Hoxhaj i Partisë Demokratike të Kosovës në një intervistë në “Rubikon”, intervistë kjo që po ndodhte njëkohshëm me kryetarin e këtij subjekti, Memli Krasniqi, i cili ishte në një emision tjetër. Enver Hoxhaj aty do të artikulonte ambicien e tij që, me të ndodhur “zgjedhjet reale të PDK-së” ai do të synonte marrjen e drejtimit të partisë; dhe atë “me shumë seriozitet”.
“Kurdo që mbahen zgjedhjet unë do ta shqyrtoj me seriozitet kandidaturën time, por kurdo që mbahen zgjedhjet…zgjedhjet reale të PDK-së në cdo nivel”.
PDK rrotulloi tryezat kur para disa ditësh zbriti nga udhëheqësia Memli Krasniqi dhe, në bazë të ‘Statutit të PDK-së’ u thirr konventa për zgjedhjen e drejtuesit të ri. Kandidaturën e shpalli menjëherë Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për kryeministër të vendit që kori rezultat solid zgjedhor PDK-në, duke e rikthyer në nivele të Kadri Veselit për nga pesha elektorale. Por, Enver Hoxhaj, ndonëse para katër muajsh e kishte dhënë publikisht synimin e vet, doli të jetë gjetur në befasi: duke qenë edhe i hospitalizuar kohëve të fundit me një intervenim shëndetësor.
Ky i fundit kërkoi shtyrjen e konventës dhe i dha jehonë sërish synimit të vet për të marrë drejtimin e partisë, por se për këtë gjë, do t’i duhej kohë t’i përvishej punës. Por, me ç’dihet deri tash, PDK nuk e ka shtyrë konventën dhe nuk është qartësuar se si do t’ia bëjë Hoxhaj: të kandidojë apo jo.
Konventa mbahet të hënën në ora 16:00, dhe me ç’merr vesh nga brenda PDK-së gazeta Nacionale, shtyrje nuk do të ketë.
Hoxhaj s’pati kualifikime lehtë të përbishme për partinë e tij dhe mënyra se si u thirr konventa dhe mos-hapja e garës, çka e përktheu për parti “joserioze”.
“Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, tha Hoxhaj.
“Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, shtoi ai.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në anën tjetër ka reaguar duke theksuar se Konventa është thirrur në përputhje me nenin 35 të Statutit të Partisë dhe duhet të mbahet brenda pesë ditësh.
Ajo shtoi se "ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore."
Çitaku gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e një vizioni të qartë për zgjedhjet e përgjithshme:
"Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës."