Hovenier: Sulmi në Varaga ishte i tmerrshëm, por mos ngarkoni dikë me përgjegjësi pa hetime të besueshme - NACIONALE

Hovenier: Sulmi në Varaga ishte i tmerrshëm, por mos ngarkoni dikë me përgjegjësi pa hetime të besueshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sulmin në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc i cili rrezikoi seriozisht infrastrukturën kritike të Kosovës. Ndonëse tha se është ende herët të dihen rrethanat e plota, Hovenier e bëri të qartë qëndrimin e ShBA-së se “përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari.” Në këtë kontekst, ambsadori bëri thirrje që të mos nxitohet me deklarata pa u kryer një hetim "me rezultate të besueshme".

Gjatë intervistës në emisionin “Context” në ATV, ambasadori Hovenier e quajti sulmin “të tmerrshëm”, ndërsa theksoi potencialin shkatërrues që ky sulm përbënte duke rrezikuar ndërprerjen e energjisë elektrike dhe ujit për një pjesë të qytetarëve të vendit.

“Dua të shfrytëzoj rastin për të përsëritur atë që thashë në mbrëmjen e ngjarjes dhe atë që e tha pastaj edhe qeveria e SHBA-së: ne e dënojmë plotësisht këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike në Kosovë që kishte potencialin të përmbyste ndjeshëm jetët dhe të dëmtonte njerëzit duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike për një përqindje të caktuar të qytetarëve, duke ndikuar në furnizimin me ujë të një përqindje të qytetarëve.” – tha ambasadori amerikan.

Një sulmi i tillë, tha Hovenier, ishte “i pajustifikuar”, dhe se “nuk ka asnjë kuptim në shekullin e 21-të.” Në dritën e kësaj ngjarje, ambasadori amerikan tha se është ende herët për t’u përcaktuar se kush qëndron prapa sulmit pa u mbledhur provat e mjaftueshme.

“Përkitazi me atë se çka dimë për atë që ndodhi, është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare.” – tha Hovenier.

Shtetet e Bashkuara, shtoi ambasadori, kanë ofruar mbështetje për autoritetet kosovare, përfshirë asistencën nga forcat amerikane të zbatimit të ligjit, për të siguruar që hetimet të jenë të besueshme dhe të drejta.

“Mbrëmjen e sulmit dhe pastaj edhe më vonë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu ofroi autoriteteve kosovare mbështetjen e forcave amerikane të zbatimit të ligjit. Besoj se kolegët e mi evropianë kanë bërë të njëjtën gjë. Zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer hetimet – hetime efektive. Ne besojmë se ato duhet të jenë të besueshme, të shpejta, të drejta, transparente dhe sigurisht, është pikëpamja e qeverisë amerikane që tashmë e kemi shprehur shumë fuqishëm se përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari. Momentalisht, nuk jemi në gjendje të themi se kush është përgjegjës.” – tha ai.

I pyetur në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë se pas sulmit qëndron Serbia, Hovenier përsëriti dhe këshilloi që “të pritet derisa të kryhen hetimet” në mënyrë që të sigurohet mbështetje e plotë për t’i mbajtur përgjegjës shkaktarët e sulmit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që qeveria e Kosovës ka, por këshilla jonë vazhdon të jetë, prisni derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi, sepse atëherë do të keni mbështetje nga të gjithë për t'u siguruar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.” – tha Hovenier.

Lajme të ngjashme