Hovenier pyetet mbi mundësinë e ekstradimit të Radojiçiq: Ai e pranoi që organizoi sulmin, duhet të mbahet përgjegjës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që ta shohin Milan Radojiçiq të mbajë përgjegjësi për organizimin e sulmit terrorist në Bajnskë të Zveçanit më 24 shtator. Kështu bëri të ditur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në një diskutim në “Atlantic Council”.
Ai fillimisht u pyet për hetimet që po bëhen në lidhje me rastin që la të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
“Hetimi ynë është në përfundim. Ne nuk jemi gati që të bëjmë të gjitha elemente e këtij hetimi, por dua të përsëris disa gjëra, e marrim këtë shumë seriozisht….Ka qenë një kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës dhe sovranitetit, dhe një tragjedi. U vra një zyrtar policor i Kosovës, ka mundur të ketë të tjerë.” – u shpreh ai.
Hovenier tutje përsëriti që ShBA nuk e ka marrë lehtë këtë çështje, dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
Radojiçiq
Ndonëse tashmë është konfirmuar edhe nga pamjet, por edhe nga vetë ai, Radojiçiq nuk ka dhënë llogari para drejtësisë për organizimin e sulmit terrorist në Kosovë.
Hovenier u pyet edhe mbi mundësinë e ekstradimit të tij në Kosovë, gjë e cila është kërkuar nga autoritet e vendit tonë.
Në ShBA, Hovenier u shpreh se për një gjë të tillë, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me çështje kriminale, derisa shtoi se Radojiçiq duhet të mbajë përgjegjësi.
“Z.Radojiciq e bëri të ditur përmes avokatit që ka qenë prezent dhe organizues i sulmit. Në sistemin e ShBA-së, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me një çështje kriminale, nuk jam prokuror apo avokat. Ne besojmë që Radojiçiq është në mesin e njerëzve që duhet të mbahet përgjegjës, dhe presim që kjo të ndodhë.” – tha ai.
Përmend edhe Asociacionin
Një pjesë e madhe e pyetjeve, kishin të bëjnë me Asociacionin. Në fjalën e tij, Hovenier theksoi se e kupton “dëshirën” e kryeministrit Kurtit për t’u nënshkruar marrëveshja e Ohrit, në mënyrë që të ketë “më shumë besim që Serbia ka hyrë në obligime”.
“Për Shtetet e Bashkuara, çështja nëse këto obligime janë ligjërisht të detyrueshme për Kosovën e Serbinë është e zgjidhur. Ishte njoftuar në kohën e miratimit të Marrëveshjes Bazë, ishte njoftuar në Aneksin e Zbatimit (…) se këto ishin obligime në të cilat kanë hyrë të dyja shtetet. Ne vazhdojmë të besojmë se ky është fakti dhe Bashkimi Evropian, në të vërtetë, e përfshiu tekstin e Marrëveshjes Bazë në konkluzionet e njërit prej takimeve të Këshillit Evropian. Kjo është njëfarë çështje e madhe. Pra, përderisa e kuptojmë dëshirën e kryeministrit që të ketë, nga këndvështrimi i tij, më shumë besim që Serbia ka hyrë në këto obligime, e tëra që mund të them është ajo që është pozicion i yni, që është se Serbia ka hyrë në këto obligime dhe ka dhënë një zotim për të vepruar ashtu, siç ka dhënë edhe Kosova.” – deklaroi Hovenier.
E pasi i ritheksoi këto qëndrime, Hovenier e tha edhe një fjali të rëndësishme, që mund të lexohen si Sipas Hovenierit, ka shpërqëndrim rreth çështjes së nënshkrimeve më tepër sesa përqëndrimi në “lëvizjen përpara për të zbatuar e ekzekutuar”.
“Mendojmë se ka pak shpërqendrim në këtë çështjen e nënshkrimeve, më tepër sesa lëvizja përpara për të zbatuar e ekzekutuar – nga të dyja palët. Do të theksoja se ky nuk është vetëm pozicion i ShBA-së dhe, prapë, në deklaratën që u lëshua para disa javëve nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës, kryeministrja e Italisë – ata flasin gjithashtu për rëndësinë e lëvizjes përpara e jo të jepemi pas çështjeve të lidhura me – mendoj se e përdorin një term tjetër pos nënshkrimeve, por formaliteteve, mendoj se thanë, dhe ky mbetet pozicioni ynë.” – shtoi Hovenier.