Hovenier: Progresi në çështjen e Asociacionit është i rëndësishëm për zbatimin e marrëveshjes
Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar edhe zyrtarisht përmbajtjen e Planit Evropian (franko-gjerman). Në të janë 11 nene, për të cilat pati pajtim verbal mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Problematik për Kosovën po del të jetë neni 7 i cili mes tjerash thotë se palët do të sigurojnë një nivel të vetë-manxhimit për komunitetin serb në Kosovë në disa fusha. Këtu përfshihet edhe mundësia e ndihmës financiare nga Serbia.
Për këtë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një intervistë dhënë RTV Dukagjinit, derisa komenton nenin 7, tha se Asociacioni është një komponent thelbësor i marrëveshjes.
Sipas ambasadorit, çështja e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë është një referencë për Asociacionin.
"Mendoj se kjo çështja e nivelit të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin dhe sërish, tashmë e kam shprehur në këtë intervistë, dhe, shumë herë, i kam shprehur pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara se kjo është pjesë e saj, se përparimi në çështjen e Asociacionit është pjesë e rëndësishme e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe çka është më me rëndësi, deri në një masë edhe për Kosovën që e përmbush atë vizionin e përbashkët që e kemi si një shtet shumetnik, sovran e demokratik.” - ka thënë ai.
Tutje Hovenier ka pohuar se SHBA-të nuk po kërkojnë nga Kosova të bëjë diçka anti-Kushtetuese.
Hovenier ka konfirmuar se Asociacioni është obligim nga Qeveria e Kosovës, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme dhe se e gjithë struktura e komunave do të ishte konform vendimit të Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015.
"E kam thënë, po e rithem dhe me siguri se do ta them sërish: ShBA nuk po i kërkon Kosovës të bëjë diçka anti-Kushtetuese. Është thelbësore për përpjekjet efektive të Qeverisë së Kosovës për të adresuar shqetësimit e komunitetit serb.
Kujtojmë se ky nen gjithashtu kërkon që palët të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Neni 7 i planit “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” i propozuar nga Bashkimi Evropian:
Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.


