Hovenier kërkoi “bashkëpunim”, pse Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e Serbisë për “prova” rreth sulmit në Banjskë? - NACIONALE

Hovenier kërkoi “bashkëpunim”, pse Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e Serbisë për “prova” rreth sulmit në Banjskë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përkundër thirrjeve për “bashkëpunim” të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën e autoriteteve serbe të cilat kanë kërkuar që t’i jepen provat për sulmin paramilitar dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, të orkestruar nga Milan Radojçiqi.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë e cilësoi kërkesën e Serbisë si "të kundërligjshme" nën argumentin se korniza ligjore u jep juridiksion vetëm organeve gjyqësore të Kosovës për t'i hetuar krimet e kryera brenda territorit të saj.

“Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë për “RTV Dukagjinin”.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se sipas informacioneve që posedojnë, zyrtarët serbë kanë kërkuar zyrtarisht ndihmë juridike nga autoritetet e Kosovës në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë – para se Kosova të refuzonte kërkesën –, Hovenier tha se kërkesa e Serbisë kishte të bënte me sigurimin e provave thelbësore për ndjekjen penale të Radojiçiqit, i cili kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit.

“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare”, ka thënë ai.

Hovenier shprehu optimizëm për gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar. Ai i kërkoi që Kosova që t'i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Serbisë.

“Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka deklaruar ai.

Zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Vigan Qorrolli, ka konfirmuar refuzimin e kërkesës së Serbisë, duke e konsideruar atë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe me ligjin që rregullon bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Ai tutje ka treguar se vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

“Kërkesa e Serbisë është ligjërisht e pakuptimtë dhe në kundërshtim me gjithë bazën ligjore dhe kushtetuese të Kosovës sidomos me Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në fushën penale. Ne kërkojmë një hetim ndërkombëtar që t’i ndriçoje çështjet që kanë ndodhur në Banjskë…”, tha Qorrolli për RTV21.

Lajme të ngjashme