Hovenier del nga takimi me Bislimin: S’mi tregoi propozimet për dinarin - NACIONALE

Hovenier del nga takimi me Bislimin: S’mi tregoi propozimet për dinarin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier sapo ka përfunduar takimin me zëvendëskryemenistin njëherit kryenegociatorin, Besnik Bislimi, i cili dje qëndroi në Bruksel, atje ku u diskutua me palën serbe për dinarin.

Hovenier para gazetarëve deklaroi se edhe sipas deklaratave të emisarit evropian, Miroslav Lajçak, “ka disa shenje pozitive”.

“Sapo takova zv.kryeministrin Bislimin, folëm para dhe pas takimeve të rëndësishme në dialog, ishte një shkëmbim rutinë. Keni parë ato që ka thënë Lajçak, ka pasur disa shenja pozitive. Pozicioni i ShBA-së është i qartë, respektojmë autoritetin e BQK-së, përgjegjësitë për politikën monetare, kjo s’është për dinarin, është për mënyrën se si rregullorja është duke u implementuar.” – ka thënë ai.

Ai përmendi edhe një herë se vendimi, mund të afektojë popullatën serbe, duke ripërsëritur deklaratat e emisarit Gabriel Escobar:

“Ka folur për këtë Gabe Escobar, mund të ndikojë te popullata serbe, mendojmë që është e rëndësishme të adresohen këto shqetësime.”

A ia tregoi Bislimi propozimet?

Ambasadori amerikan para gazetarëve deklaroi se Bislimi nuk i dha propozime specifike:

“Nuk më dha propozime specifike, mendoj që qeveria po punon ende me to. Ne duam të jemi konstruktiv në këtë proces”.

Çka tha Qeveria për takimin?

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka takuar dje në Bruksel Petar Petkoviqin.

Sipas kumtesës zyrtare të Qeverisë, temë qendrore e takimit, ishte zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit.

Krejt në fund të njoftimit, komunikata e Zyrës së Bislimit, përmend çështjen e Rregullores së BQK-së si një temë që është diskutuar “në takim, më tej…”

“Më tej, u përmend dhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe shqetësimet e fundit rreth saj. Palët u dakorduan që deri në fundjavë të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, gjithnjë duke respektuar vendimin në fjalë të BQK-së. Palët u pajtuan që të ofrojnë propozime teknike deri me datë 22 mars, të tilla që pastaj do trajtohen tutje në një takim të ri. Republika e Kosovës e ka bërë të qartë që do ofrojë zgjidhje teknike sipas planit që ajo u ka ofruar edhe shteteve të QUINT-it javë më pare." - thuhet në kumetesën e Qeverisë.

Lajme të ngjashme