Hoti viziton Izraelin: Kërkuam heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë një njoftim të rëndësishëm në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin. Hoti, në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Izraeli heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një postim të gjatë në Facebook, deputeti Hoti ka shprehur falënderime për vendimin historik të Izraelit për të njohur Kosovën si shtet në shtatorin e vitit 2020.
Në takimin e tij me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) dhe anëtarët e Grupit homolog të Miqësisë Izrael-Kosovë, si dhe me Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje, deputeti Hoti njoftoi se është diskutuar për një seri çështjesh të rëndësishme.
Ish-kryeministri ka njoftuar edhe për një sërë kërkesash të tjera që i janë bërë Izraelit, përfshirë hapjen e ambasadës izraelite në Prishtinë.
Shkrimi i plotë:
Vizitë historike në Izrael: Kosova dhe Izraeli duhet të vendosin partneritet strategjik 🇽🇰🇮🇱
Në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, bashkë me kolegë nga Kuvendi i Kosovës, sot takuam Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset), Grupin homolog të Miqësisë Izrael-Kosovë, Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtje dhe shumë deputetë të tjerë.
Kosova është falënderuese për vendimin madhor të Izraelit për njohjen e Kosovës në shtator të vitit 2020, që ndodhi në bisedën nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit janë shkëmbyer vizita dhe janë nënshkruar marrëveshje në disa sektorë.
Në takimin me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) shtruam këto çështje për diskutim:
(1) heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm, e cila gjë u mirëprit jashtëzakonisht mirë;
(2) kërkuam që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë;
(3) propozuam nënshkrimin e disa marrëveshjeve ekonomike për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe investimet mes dy vendeve tona, siç janë: marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për tregti të lirë dhe marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve;
(4) marrëveshja për bashkëpunim mes dy parlamenteve.
Kryetarit të Kuvendit të Izraelit (Knesset) i dorëzuam ftesën për vizitë në Prishtinë, e cila duhet të ndodh në muajin tetor.
Të gjitha këto marrëveshje vendosin bazat për të hyrë në bashkëpunim strategjik me Izraelin, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në shumë fusha të tjera.