Hoti uron anëtarët për Kuvendin Zgjedhor: Rikthimi i LDK-së është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës
Deputeti dhe anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar për Kuvendin e LDK-së që do të mbahet sot, duke thënë se rikthimi i kësaj partie është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës.
Hoti ka uruar të gjithë anëtarët e në “veçanti atyre që nuk iu ndanë misionit të LDK-së për më shumë se tri dekada.”
“Vitet kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe nevojat e qytetarëve dhe sfidat e shoqërisë, por vizioni i LDK-së mbetet i palëkundur — një Kosovë demokratike dhe e zhvilluar, e integruar në BE dhe NATO, e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuarar të Amerikës.” – ka shkruar Hoti në Facebook.
Shkrimi i plotë:
Sot mbajmë Kuvendin e X Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të partisë themeltare të shtetit të Kosovës, të partisë që e themeloi dhe e udhëhoqi për shumë vite ati i shtetit të Kosovës, Presidenti Rugova.
Urime Kuvendi i X anëtarëve dhe mbështetësve. Urime në veçanti atyre që nuk iu ndanë misionit të LDK-së për më shumë se tri dekada.
Vitet kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe nevojat e qytetarëve dhe sfidat e shoqërisë, por vizioni i LDK-së mbetet i palëkundur — një Kosovë demokratike dhe e zhvilluar, e integruar në BE dhe NATO, e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuarar të Amerikës. Gra e burra vizionarë e trasuan këtë rrugë në vitet më kritike për gjithë Evropën, kur komunizmi ishte në frymën e fundit, kur shtetet artificiale po shpërbëheshin, dhe kur konfliktet apo luftrat e hapura shkaktonin mijëra viktime gjithandej.
Kjo ditë është festë në LDK. Rikthimi i LDK-së është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës, është i nevojshëm për të mos devijuar nga vizioni i atit të shtetit të Kosovës.
