Hoti: Qeveria të mbrojë konsumatorin dhe të parandalojë sjelljet abuzive në treg - NACIONALE

Hoti: Qeveria të mbrojë konsumatorin dhe të parandalojë sjelljet abuzive në treg

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti në raport me ngritjen e çmimeve të naftës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila po mbahet për këtë çështje, ai ka thënë se Qeveria është vonuar.

Hoti ka vlerësuar se në lidhje me këtë gjendje Qeveria Kurti ka ndërmarr vetëm një masë.

“Tani, për t’u përballur me këtë krizë, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vetëm një masë të vetme: përcaktimin e marzhës së fitimit për bizneset që merren me derivate. Ndërkaq gama e gjerë e masave të nevojshme që duhet të ndërmerren në raste të tilla nuk është konsideruar, dhe kjo është paksa e çuditshme kur po përballemi me 40% rritje të çmimit të derivateve. Për informim, vetëm mes datës 2 dhe 3 prill (dje dhe pardje), çmimi i naftës është rritur me 14% — çmimi i furnizimit në burim është rritur me 14%. Tani, kjo masë e qeverisë, ne vlerësojmë që nuk është adekuate për dy arsye: Së pari: Caktimi i marzhës së fitimit e mban fitimin e biznesit brenda një kufiri të caktuar, por kjo u mundëson bizneseve që çdo rritje në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht tek konsumatori i fundit. Me këtë masë, bizneset nuk kanë nxitje për ulje të shpenzimeve, kështu që konsumatori, në vend që të mbrohet, në fakt ai e bart plotësisht barrën e rritjes së çmimit”, ka thënë ai, duke thënë detaje tjera.

“Së dyti: Përvoja dëshmon se ndërhyrjet e tilla, që janë dukur tërheqëse për qytetarët, në fakt e përkeqësojnë situatën. Këto lloj ndërhyrjesh bëjnë që, në pamundësi të operimit brenda marzhave të fitimit të përcaktuara nga qeveria, disa biznese të dalin nga tregu. Rrjedhimisht, konkurrenca dëmtohet pasi tregu koncentrohet në më pak biznese, të cilat mund të përballojnë marzha më të ulëta për shkak të ekonomizimit të shkallës, ndërkohë që fitimi i tyre rritet“, është shprehur ai.

Hoti ka treguar veprimet që duhet t`i bëjë Qeveri në këtë drejtim.

“Të luash rolin ligjor dhe kushtetues të qeverisë në raste të tilla, janë tri detyra/obligime që ka qeveria: Të mbrojë konsumatorin duke marrë përsipër vetë një pjesë të barrës, ndërkohë pjesën tjetër ta shpërndajë proporcionalisht në shoqëri. Të parandalojë sjelljet abuzive në treg që mund të ndodhin në situata të tilla dhe të ruajë konkurrencën. Të punojë në kusht me bizneset për përballim të situatës“, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme