Hoti: Në këtë mandat do të duhej të promovohej termocentrali me gaz, Kurti po krenohet me remontin e blloqeve
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti në KEK.
Ai ka bërë me dije se në këtë mandat qeverisës është dashur të promovohet termocentrali me gaze.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se në vend të këtij promovimi Kurti po krenohet me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen.
“Në vitin e katërt të mandatit, do të duhej të promovohej termocentrali me gaz. Por, në vend të këtij projekti, Kryeministri e Ministrja e Ekonomisë vizitojnë KEK-un dhe krenohen me remontin e blloqeve në përgatitje për dimrin që po vjen. Kjo është për keqardhje. Pas katër vitesh në pushtet, asnjë projekt madhor nuk ka nisur. Nuk janë kryer as projektet e nisura nga qeveria e kaluar”, ka shkruar Hoti.
Ish-kryeministri Hoti ka rikujtuar zotimet që ka pasur Kurti gjatë fushatës.
“Premtimi që VV-Guxo u kanë dhënë qytetarëve më 14 shkurt 2021 ka qenë: “Furnizim me energji të vazhdueshme dhe të përballueshme”. Ky premtim, sikurse të gjitha premtimet e tjera, është shkelur pasi kapacitetet energjetike nuk janë rritur. Sot, Kosova nuk ka siguri energjetike, pra nuk ka energji të vazhdueshme. Çmimi i energjisë është rritur dy herë në këtë mandat, por jo pagat dhe të ardhurat e tjera, duke e shkelur kështu premtimin për energji të përballueshme”, ka shkruar Hoti.