Hoti: Me 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale, Qeveria s’mund t’i numërojë tri projekte madhore
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për, siç thotë ai, mungesë të projekteve madhore zhvillimore, pavarësisht shpenzimit të miliardave eurove në investime kapitale gjatë viteve të fundit.
Sipas Hottit, qeveria Kurti ka shpenzuar 2.7 miliardë euro në kategorinë e shpenzimeve kapitale për periudhën 2021–2025, por sipas tij, nuk ka rezultate të dukshme që do ta arsyetonin këtë nivel shpenzimesh.
“I kanë shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por nuk mund t’i përmendin tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime”, ka shkruar Hoti.
Ai ka renditur një sërë projektesh që, sipas tij, do të mund të arsyetonin këtë buxhet nëse do të ishin përfunduar apo së paku nisur. Në mesin e tyre ka përmendur Autostradën e Gjilanit, hekurudhën Prishtinë–Durrës, rrugën dhe tunelin Prizren–Tetovë, autostradën Prishtinë–Merdarë, lidhjen e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël, Aeroportin e Gjakovës, rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, si dhe centralin me gaz.
“Por, asnjë nga këto projekte nuk është përfunduar. Disa prej tyre as që janë nisur”, shkroi Hoti.
Sipas Hotit, përmbushja e këtyre projekteve ka qenë e mundur, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë të planifikimit buxhetor.
“A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar? Absolutisht që po”, ka shkruar ish-kryeministri.
Ai ka shtuar se buxheti ka qenë i mjaftueshëm, duke thënë se disa projekte ishin paraparë në buxhetin e rregullt, ndërsa të tjera mund të financoheshin përmes kredive dhe mbështetjes ndërkombëtare.
“A ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte? Absolutisht që po. Disa ishin të parapara në buxhetin e rregullt, e disa me kredi dhe mbështetje ndërkombëtare”, ka theksuar Hoti.