Hoti: Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare, blloqet vazhdojnë të bien nga sistemi
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me krizën energjetike.
Ai ka bërë me dije se kjo krizë po e rrënon ekonominë kosovare.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se fajet për këtë krizë i ka Qeveria Kurti.
Sipas tij, kjo qeveria nuk ka ndërmarr asnjë masë për shtim të kapaciteteve.
“Kriza energjetike po e rrënon ekonominë kosovare. Investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji. Paqartësia nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit. Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite. Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite”, ka shkruar Hoti.
Ai ka fajësuar Qeverinë Kurtin edhe për anulimin e centralit me gaz.
“Centrali me gaz i Marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021. Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane. Dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues. Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës”, ka shkruar ai.